Shkup, 7 nëntor – Ai mori 23 vota në seancën konstituive të Këshillit dhe u propozua nga këshilltari Luke Galeski, koordinator i grupit këshilltar të VMRO-DPMNE-së.
Dimitrovski mori mbështetje nga koalicioni “Maqedonia Jote”, si dhe nga grupet ZNAM dhe VREDI, ndërsa këshilltarët e Levica dhe LSDM nuk votuan për të, megjithatë thanë se do ta mbështesin në punën e tij.
Në fjalimin e tij pas zgjedhjes, Dimitrovski deklaroi se do të angazhohet që Shkupi të bëhet një vend më i mirë për jetesë – me ajër më të pastër, mjedis më të pastër, transport publik më të mirë dhe menaxhim më cilësor të mbeturinave.
“Si kryetar do të mbështetem në tre parime kyçe në punën e Këshillit.
Së pari, transparenca – çdo qytetar duhet të dijë si merren vendimet, ku shpenzohen mjetet publike dhe si realizohen projektet. Do t’i hapim dyert për publikun dhe do të promovojmë qasje digjitale dhe llogaridhënie në çdo hap të punës së Këshillit.
Së dyti, dialogu – ky Këshill do të ketë qëndrime të ndryshme për shumë çështje, por nuk duhet të ketë armiq brenda tij.
Së treti, vizioni – megjithëse qyteti ka shumë probleme të përditshme, duhet të ndërtojmë një Shkup për brezat e ardhshëm, me projekte të qëndrueshme, më shumë gjelbërim, kulturë urbane, inovacione dhe mundësi për të rinjtë,” theksoi Dimitrovski.
Ai paralajmëroi se do t’i udhëheqë seancat e Këshillit në frymën e respektit, debatit të argumentuar dhe konstruktivitetit.
“Ky nuk duhet të jetë vetëm një Këshill që flet, por para së gjithash një Këshill që dëgjon,” – shtoi Dimitrovski, duke theksuar se do të jetë kryetar i dialogut, jo i përçarjeve.

