Familjet me persona me aftësi të kufizuara shpenzojnë 60% më shumë se familjet tipike

56
fresco

Shkup, 14 nëntor – Buxheti për personat me aftësi të kufizuara për këtë vit, por edhe për vitin e ardhshëm, do të reduktohet për 196 milionë euro, ndërsa shpenzimet e jetesës për familjet që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara janë 60% më të larta sesa ato të familjeve me zhvillim të zakonshëm. Këtë e bëri të ditur Koalicioni “Menuvame” gjatë prezantimit të raportit të tyre para Kuvendit.

“Ky raport e përgatitëm me qëllim që t’i ndihmojmë veçanërisht Ministrisë së Politikës Sociale, pasi si Koalicion jemi dëshmitarë që buxheti është ulur për një shumë shumë të madhe prej 196 milionë eurosh nga të drejtat sociale”, tha Suaret Alishan, koordinator i Koalicionit Menuvame.

Si u bë llogaritja e kostos?

Koalicioni e bazoi analizën në shportën minimale sindikale të SSM-së për muajin tetor, sipas së cilës shpenzimet mujore për një familje katëranëtarëshe arrijnë në 65.000 denarë.
Për familjet me persona me aftësi të kufizuara, numri i anëtarëve është rritur në 5, çka i shton kostos edhe 25% më shumë.

65.000 denarë × 1.25 = 81.000 denarë

Shtohen edhe 23.000 denarë të tjerë për shpenzime shtesë:

pajisje mjekësore

transport

person kujdesi

shërbime komunale

Kështu, shuma mujore i arrin 104.000 denarëve.

Nëse shuma rrumbullakohet në 100.000 denarë dhe llogaritet për 12 muaj:

100.000 × 12 = 1.200.000 denarë, që është rreth 19.500 euro në vit për një familje pesëanëtarëshe me persona me aftësi të kufizuara.

Raporti, sipas Alishanit, i nxjerr në pah të gjitha problemet që më herët janë injoruar ose “fshirë nën tapet”. Ai shton se organizata ka zgjidhje konkrete dhe është e gatshme të bashkëpunojë me shtetin për t’i zgjidhur këto çështje.

Reagimi i Ministrisë së Politikës Sociale

Nga Ministria thonë se e vlerësojnë punën e Koalicionit Menuvame dhe përpjekjet për të theksuar sfidat me të cilat përballen familjet me persona me aftësi të kufizuara. Megjithatë, ata theksojnë se llogaritjet e Koalicionit nuk paraqesin indikator zyrtar shtetëror.

Vendimet përfundimtare, sipas ministrisë, varen nga:

korniza buxhetore

analizat ndërinstitucionale

politikat sociale dhe legjislacioni

të dhënat statistikore zyrtare

vlerësimi i nivelit real të mbështetjes së nevojshme

Ministria shton se të drejtat financiare nuk lidhen drejtpërdrejt me shportën sindikale, por me kornizën fiskale dhe politikën sociale të shtetit.

Comments