Kanë mbetur edhe vetëm disa ditë deri në mbylljen e afatit për koalicionet parazgjedhore mes partive politike.
Deri më tani, zyrtarisht nuk është shënuar asnjë lëvizje sa i përket bashkëpunimeve për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
E vetme në këto zgjedhje do të garojë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj. Kështu deklaroi për Klankosova.tv Pal Lekaj, anëtar i kryesisë së AAK-së.
Megjithatë, Lekaj tha se subjekti mbetet i hapur për pranimin e personaliteteve që besojnë në vizionin e Aleancës.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, mbetemi të hapur për bashkëpunim me individë të çmuar, personalitete profesionale dhe autoritete publike që ndajnë vlerat dhe programin tonë, të cilët mund t’i bashkohen listës së AAK-së”, deklaroi ai për Klankosova.tv.
Ai theksoi se AAK-ja është e përgatitur për zgjedhjet dhe se janë të gatshëm të qeverisin më mirë se qeveria aktuale.
“Absolutisht po. AAK-ja është plotësisht e përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Ne kemi bërë një punë të madhe në terren, kemi struktura të konsoliduara në çdo komunë dhe një program të qartë qeverisës që adreson problemet reale të qytetarëve. AAK-ja hyn në zgjedhje me ekip të fortë, me alternativa konkrete dhe me vizion të qartë për zhvillim ekonomik, siguri, dhe funksionim më efikas të shtetit. Ne jemi gati të garojmë, jemi gati të fitojmë, dhe sidomos jemi gati të qeverisim më mirë se qeveria aktuale”, deklaroi Lekaj për Klankosova.tv.

