“Fëmijët tanë po kalben në varre!” – Prindërit e viktimave në Koçani përplasen verbalisht me avokatët

59

Me këto thirrje, prindërit e viktimave të tragjedisë i pritën avokatët e të akuzuarve, pas seancës së sotme gjyqësore. Dëshpërimin dhe zemërimin prindërit e shprehen më së shumti ndaj avokatëve nga Koçani. Ata thonë se nuk u kuptojnë se me çfarë ndërgjegjeje kanë pranuar të mbrojnë të akuzuarit në këtë proces.

“Ka shumë avokatë mbrojtës të të akuzuarve nga Koçani – A nuk keni fare ndërgjegje, as ndjenja empatie kur na shihni ne, familjet e fëmijëve të vrarë, sa shumë po vajtojmë për ta? Apo nuk keni ndjenja empatie që kanë vrarë bashkëqytetarët tuaj të rinj? Duke kërkuar drejtësi për fëmijët tanë të vrarë, mësojmë se në Koçan kanë jetuar shumë njerëz të korruptuar”, tha Julia Zlatkova, nëna e të ndjerit Tomas Zlatko.

Në sallën e gjyqit, mbrojtja nuk dha fjalët hyrëse siç ishte parashikuar, sepse avokatët u ankuan se të akuzuarit nuk e kishin marrë tekstin e integruar të aktakuzës, i cili në seancën e parë ishte bashkuar me aktakuzën ndaj pronarit të personit juridik Rubikon, Aleksandar Nacev, kompania që atë natë siguronte diskotekën. Sipas avokatëve, prokuroria kishte shkelur procedurën.

“Neve na është dorëzuar e ashtuquajtura aktakuzë e integruar, por asnjë nga të akuzuarit nuk e ka marrë. Në sallën e gjyqit si mbrojtës nuk jemi të akuzuar, ne jemi në sallë për shkak të të akuzuarve që nuk e kanë aktakuzën, për të ditur pse janë në sallë gjyqësore dhe pse janë të akuzuar. Disa prej tyre janë në paraburgim, disa në arrest shtëpiak. Është jo serioze nga ana e prokurorisë që t’ua dorëzojë, edhe në këtë formë, aktakuzën e integruar të akuzuarve”, u shpreh Zvonko Davidoviq, avokat i të akuzuarit.

“Qëndrimi i prokurorisë është jo serioz – jo serioz ndaj gjykatës, mbi të gjitha jo serioz ndaj familjeve të viktimave, jo serioz ndaj mbrojtjes dhe jo serioz ndaj të akuzuarve. Nëse lejojmë që çdo gjë të kalojë, ashtu siç dëshiron prokuroria, në fund të ditës nuk do të arrijmë atë për çka të gjithë angazhohemi, dhe ajo është që personat përgjegjës të mbajnë përgjegjësi, ndërsa të pafajshmit, që ka mjaftueshëm në lidhje me kualifikimin e veprës penale, të lirohen nga faji”, theksoi Petre Shilegov, avokat i të akuzuarit.

Gjykatësja Diana Gruevska Ilievska e shtyu seancën e parashikuar për nesër dhe caktoi një të re më 2 dhjetor, deri atëherë të gjithë të akuzuarve do t’u dorëzohet aktakuza e integruar, dhe ata do të duhet të deklarojnë nëse ndihen fajtorë ose jo. Zjarri në klubin Puls në Koçan ndodhi më 16 mars, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa rreth 200 u lënduan. Gjykimi nisi javën e kaluar./ Alsat

Comments