Priten arrestime të reja nga dy Prokuroret e Posaçme. SPAK nis hetime te Tatimet dhe Doganat, dyshohet se kanë lejuar për vite abuzimet me TVSH dhe detyrimet fiskale kompaninë “Bankers”.
Burime të rezervuara tregojnë se po hetohen ish-drejtorë të Përgjithshëm, ish-ministra e zyrtarë të PD e të PS, të cilët kanë lejuar skandalin e “Bankers”.
Pas arrestimeve të para të ekzekutuara nga Prokuroria e Fierit, çështja është zgjeruar ndjeshëm duke përfshirë hetime më të thelluara mbi zinxhirin e përgjegjësive brenda administratës tatimore dhe zyrtarëve që dyshohet se kanë lejuar për vite abuzimet me TVSH-në dhe detyrimet e tjera fiskale.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton veprimet e organeve tatimore që ndër vite nuk kanë kontrolluar apo kanë lejuar shkeljet e kryera nga kompania Bankers. Dyshohet se janë qindra milionë euro që kanë avulluar.
Dy prokuroret e SPAK, Anita Jella dhe Enkeleida Millonai kanë vënë në sitën e hetimit edhe veprimet e organeve tatimore që ndër vite kanë lejuar abuzimet me TVSH dhe detyrimet fiskale.
Mësohet po hetohen vepra të ndryshme penale, përfshirë:
Krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar
Fshehjen e të ardhurave
Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
Shpërdorimin e detyrës
Moskryerjen e detyrave nga organet tatimore
Korrupsionin pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë
Veprimtari kriminale nga grupi i strukturuar kriminal
Hetimet përfshijnë edhe veprimet e doganave, zyrave të konsulencave dhe strukturave të financave, pasi dyshohet se zyrtarët e këtyre institucioneve kanë lejuar skemat mashtruese të Bankers, ku kompania dilte me humbje fikse për të shmangur pagesën e taksave dhe përfitonte miliona euro.
Dy prokuroret Anita Jella dhe Enkeleida Millonai po punojnë me intensitet duke mbledhur fakte pasi fijet e korrupsionit shkojnë lart.

