Zbulohet data e nisjes së Big Brother VIP Albania 5
Ethet e “Big Brother VIP Albania” kanë filluar të ndihen zyrtarisht te publiku shqiptar. Top Channel ka publikuar pak më parë promon e dytë të edicionit të pestë, duke e cilësuar atë si “programin e emocioneve të mëdha dhe rekordeve të pathyeshme”.
Në videon e postuar në rrjetet sociale, produksioni premton se ky edicion do të hapë dyert për aventura të reja, duke bashkuar sërish shqiptarët para ekranit. Megjithatë, ajo që ra në sy të të gjithëve ishte mungesa e një date të saktë për nisjen e programit. Promoja mjaftohet vetëm me paralajmërimin “Nga Dhjetori në ekranin e Top Channel”, duke mbajtur ende misterioz fillimin për publikun e gjerë.
Megjithatë, siç raporton Prive By Liberta Spahiu, burime të sigurta bëjnë të ditur se ndezja e dritave të shtëpisë më të famshme do të ndodhë më 20 Dhjetor. Kjo e premte pritet të shënojë fillimin e maratonës televizive që do të mbërthejë shqiptarët para ekranit për muaj me radhë.
Por, ky prag sezoni vjen i shoqëruar edhe me një notë trishtimi. Këngëtari i dashur për publikun, Shpat Kasapi, ishte planifikuar të bëhej pjesë e kastit të këtij edicioni, por ndarja e tij tragjike nga jeta e bëri të pamundur këtë rrugëtim. Humbja e tij ka lënë një boshllëk të madh dhe një dhimbje të thellë te familja, fansat dhe produksioni.
Me datën 20 Dhjetor tashmë të konfirmuar, mbetet të shihet se cilët personazhe të tjerë do sfidojnë veten dhe emocionet e tyre në shtëpinë më të famshme të televizioni shqiptar. Një gjë është e sigurt: “Big Brother VIP Albania 5” pritet të sjellë surpriza, konflikte, miqësi dhe momente që do të mbeten në kujtesën e publikut.

