Pensionet do të paguhen dhe kjo së shpejti do të shihet, potencoi sot zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski në përgjigje të pyetjes së deputetes Jovanka Trençeska nga LSDM-ja.
“Mos përhapni frikë se Fondi pensional është në prag të kolapsit, se nuk ka pensione më 1 dhjetor. E gjithë kjo është gënjeshtër dhe do të përgënjeshtrohet vetëm pas pak ditësh nga sot. Ato pensione do të paguhen edhe në vitin 2026 edhe në vitin 2027 e më tej dhe do të ketë rritje në përputhje me rregulloret ligjore. Qytetarët le të jenë të qetë”, tha Vellkovski.
Zëvendësministri përkujtoi se qeveritë e LSDM-së nuk punuan për rritjen e pensioneve, e ato që ishin 14.000 denarë tani janë 20.000 denarë, ata që kishin 20.000, tani kanë 26.000 dhe kanë jetë dinjitoze.
Trençeska tha se, sipas saj, në Buxhetin e Ministrisë së Politikës Sociale nuk ka para për transfer në Fondin për sigurim pensional për pagesën e pensioneve në dhjetor dhe pyeti se ku do të sigurohen fondet e nevojshme në mënyrë që ato të mund të transferohen deri te Fondi që pastaj të paguhen pensionet.
Lidhur me pyetjen e dytë, e cila lidhej me rritjen lineare të pensioneve, Vellkovski tha se pensionet përshtaten sipas dy komponentëve – inflacionit dhe harxhimeve për jetesë.
“Duhet ta dini shumë mirë se pensionet përshtaten sipas dy komponentëve – inflacionit dhe harxhimeve për jetesë në Maqedoni. Jo në Francë, jo në Zvicër, jo në Australi, në Maqedoni”, tha Vellkovski, duke shtuar se duhet të pyesim se sa kohë duhet për të kontrolluar pensionet, për shembull nga Franca, në mënyrë që të marrin një rritje minimale.
Qëllimi përfundimtar është, tha Velkovski, dhe kështu është bërë edhe ligji që ata të cilët janë këtu në vend, të kenë rritje të pensioneve të tyre.
“Ne kujdesemi për të gjithë qytetarët, por ata që janë këtu në Maqedoni duhet të kenë rritje të pensioneve të tyre. Ne kujdesemi për të gjithë qytetarët, por ata që janë këtu në Maqedoni kanë përparësi dhe secili prej tyre kontribuon në këtë shoqëri dhe ne duhet të kujdesemi për secilin prej nesh”, tha zëvendësministri.
Në fillim të seancës së pyetjeve të deputetëve, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi theksoi se deputetët po i bashkohen aksionit për 16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore.

