Katër nxënës të “Dimo Haxhi Dimov” vazhdojne në trajtim spitalor pas dyshimeve për helmim

103

Katër nxënës të shkollës fillore “Dimo Haxhi Dimov” të komunës së Karposhit vazhdojnë të qëndrojnë në trajtim spitalor si pasojë e dyshimeve për helmim, me simptoma të vjelljes, dhimbjes së barkut dhe temperaturës së lartë. Nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve sqarojnë se gjendja e tyre shëndetësore është e qëndrueshme dhe e mirë, ndërsa gjatë dy ditëve të fundit nuk janë regjistruar raste të reja.

“Momentalisht kemi 4 fëmijë që po i nënshtrohen trajtimit spitalor në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, të gjithë morën trajtimin e duhur mjekësor dhe kujdesin e nevojshëm, tani janë në një gjendje shëndetësore dukshëm të përmirësuar. Ditën e premte kemi lëshuar tre fëmijë në shtëpi. Dje dhe sot nuk kemi pasur raste të reja”, tha Klinika për sëmundje të fëmijëve.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik nga analizat e mostrave të ujit të marra nga Shkolla Fillore “Dimo Haxhi Dimov” është konstatuar se analizat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike të ujit janë brenda vlerave referuese, respektivisht nuk janë gjetur metale të rënda në mostrat e ujit. Ndërsa në tre çezme të shkollës, respektivisht një në kuzhinë dhe dy në klasa janë gjetur prani të baktereve, kurse baktere fekale u gjetën në musaka dhe në disa sipërfaqe në kuzhinë dhe shkollë, duke treguar higjienë të dobët në shkollë dhe kuzhinë. Ndërkohë, Inspektorati Shëndetësor ka mbyllur kuzhinën e shkollës. Nesër pritet të dalin analizat nga mostrat e marra në nëntë shkolla të tjera të komunës së Karposhit./Alsat.mk

Comments