Prishtina edhe nesër pa transport publik – punëtorët kërkojnë pagat

138

Autobusët e kryeqytetit nuk do të qarkullojnë as të hënën.

Punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë do të vazhdojnë protestën edhe nesër.

Këtë e konfirmoi për Klankosova.tv kryesindikalisti Elmi Gashi.

“Po, protesta do të ketë edhe nesër me fillim nga ora 10:00 e deri në orën 12:00. Do të bllokohet rruga nga Qeveria e deri tek Komuna”, deklaroi Gashi.

Ai theksoi se ende nuk kanë marrë ndonjë konfirmim nga MInistria e Financave rreth alokimit të mjeteve për Komunën e Prishtinës.

“Deri më tani jo. Po presim që nesër eventualisht gjatë ditë të ndodh kjo”, theksoi ai.

Gashi shtoi se protesta do të vazhdojë derisa paratë të dalin në llogarinë e “Trafikut Urban” dhe të operatorëve privatë.

Nga 24 nëntori ndërmarrja “Trafiku Urban”, e ka ndërprerë punën në shenjë pakënaqësie ndaj mospagesës ndaj punëtorëve të saj dhe furnitorëve. Kjo ka ndodhur si shkak i bllokimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës nga Ministria e Financave.

Javën e kaluar, punëtorët bashkë edhe kryetarin Përparim Rama, protestuan para Qeverisë duke kërkuar zhbllokimin e buxhetit të kryeqytetit.

Të enjten, pushteti lokal në Prishtinës, gjegjësisht Asambleja Komunale votoi pro bartjes së 28 milionë eurove nga viti 2024 në 2025. I pari i Prishtinës, kërkoi nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, zhbllokimin e të hyrave vetanake të komunës dhe granteve që kapin shumën e 35 milionë eurove./ Klankosova.tv.

Comments