Në ambientet e Spitalit të Përgjithshëm u organizua një protestë nga punonjësit shëndetësorë dhe qytetarë në lidhje me vendimin e gjykatës ndaj dr. Muhamed Asani, duke theksuar nevojën për respektim të ekspertizës dhe integritetit profesional. Protesta u zhvillua me mesazhin kryesor: “Struga ngrit zërin për drejtësi”, “Dr. Asani shpëtoi jetë”.
“Sot jemi mbledhur këtu jo për politikë, jo për përçarje, por për një kauzë njerëzore dhe themelore: drejtësi dhe dinjitet.
Ne jemi këtu sepse një padrejtësi, kur prek një njeri, prek një profesion të tërë dhe në fund prek gjithë shoqërinë.
Sot është ai, nesër mund të jetë secili prej nesh.
Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se të vërtetën.
Ne kërkojmë drejtësi dhe trajtim të ndershëm për ata që na shërbejnë çdo ditë me përgjegjësi dhe sakrificë.
Jemi këtu për të thënë qartë se nuk pranojmë që integriteti i profesionit tonë të shtypet nga padrejtësia.”, – theksoi Ilirjana Naxhaku.
Ata shprehen thellësisht të shqetësuar për mënyrën se si po trajtohet situata, duke theksuar nevojën për respektim të ekspertizës dhe integritetit profesional.
“Ne si punonjës shëndetësorë jemi thellësisht të shqetësuar dhe alarmuar për rastin në fjalë. Si profesionistë që çdo ditë punojmë me burime të kufizuara për të shpëtuar jetë dhe për të shërbyer komunitetin tonë, nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj mosrespektimit të të gjitha fakteve dhe gjetjeve profesionale.
Drejtime të qarta dhe të pavarura nga dy komisione – njëra e formuar nga Oda e Mjekëve dhe tjetra nga Ministria e Shëndetësisë – kanë konkluduar se nuk ka pasur gabim mjekësor dhe nuk ka përgjegjësi profesionale. Megjithatë, vendimet që injorojnë këto ekspertiza krijojnë një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e profesionit tonë.”, – u shpreh dr. Mondi Vejseli.
Protesta përfundoi në Gjykatën e Strugës, ku punonjësit shëndetësorë dhe qytetarët kërkuan drejtësi për dr. Muhamed Asanin.

