
Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni do të shqyrtohet nga Komisioni I Venecias. Kryeministri Zoran Zaev, tha se ky projektligj duhet të miratohet sa më shpejt, por më parë duhet të kalojë nga Komisioni I Venecias.
Komisioni i Venecias do të merret me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni. Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev, ka vendosur që pasi të përgatit projektligji për përdorimin e gjuhëve, të dorëzohet për konsultime dhe në Komisionin e Venecias. Edhe pse sipas zv/kryeministrit për çështje evropiane, Bujar Osmani, ligji për përdorimin e gjuhëve bën pjesë në grupin e parë të masave të propozuara që duhet të realizohen deri në mbajtjen e zgjedhjeve locale. Mbetet e paqartë se për sa kohë Komisioni i Venecias do ta zvarrisë këtë çështje.
Bujar Osmani, Zëvendës/Kryeministër për Çështjet Europiane: “Në fushën e Marrëveshjes korrnizë të Ohrit, në drejtim të avancimit të implementimit të elementeve legjislative nga Marrëveshja Korrnizë, Qeveria do të përgatisë ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili më pas do të dorëzohet në Parlament por edhe në Komisionin e Venedikut për konsultime”
Kryeministri Zoran Zaev tha se ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të miratohet shumë shpejtë, por theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave demokratike.
Zoran Zaev, Kryeministër: “Qeveria njëzëri qëndron në miratim të shpejtë të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Duam t’i respektojmë procedurat demokratike. Ne e shohim këtë çështje si sfidë që të zgjidhet sa më shpejtë. Për tre muaj duhet t’i përmbyllim reformat e para. Qëllimi është që deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të sigurojmë argument për Komisionin Evropian që ta largojë kushtëzimin e rekomandimit për fillimin e bisedimeve. Për gjashtë muaj planifikojmë ta kompletojmë rrethin e dytë të reformave”.
Zaev tha se qëllimi I qeverisë së tij është që deri në Këshillin e Bashkimin Evropian në dhjetor të 2017-ës Maqedonia të arrijë rezultate serioze në shumë fusha që do ta forcojnë perceptimin për Maqedoninë si vend serioz, kandidat për Bashkimin Europian.

