Vrasja e 37 vjeçares nga agjentët e emigracionit në Mineapolis, reagimi i Trump: Zyrtari duket se veproi në vetëmbrojtje

105

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka parë videon e incidentit ku një agjent i Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE) qëlloi për vdekje një grua në Mineapolis, Minesota, duke arritur në përfundimin se agjenti veproi në vetëmbrojtje.

“Në sapo pashë pamjet e ngjarjes që ndodhi në Mineapolis. Është e tmerrshme për t’u parë. Gruaja që dëgjohet duke bërtitur ishte, qartazi, një agjitatore profesionale, ndërsa gruaja që drejtonte makinën ishte shumë e çrregullt, pengonte dhe rezistonte, dhe më pas me dhunë, qëllimisht dhe brutalisht i kaloi sipër agjentit të ICE-s, i cili duket se qëlloi në vetëmbrojtje,” shkroi Trump në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social.

Trump shtoi se agjenti i ICE-s është gjallë dhe po merr trajtim në spital pas incidentit. Sipas tij, rasti po hetohet në tërësinë e vet, por theksoi se incidente të tilla, sipas tij, po ndodhin për shkak të kërcënimeve dhe sulmeve të vazhdueshme ndaj forcave të rendit.

“Këta oficerë thjesht po përpiqen të bëjnë punën e tyre për ta bërë Amerikën të sigurt. Ne duhet të qëndrojmë pranë tyre dhe t’i mbrojmë nga kjo lëvizje radikale e dhunës dhe urrejtjes,” u shpreh presidenti.

Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) konfirmoi se një agjent i ICE-s qëlloi për vdekje një grua gjatë një operacioni në Mineapolis. Zëdhënësja e DHS, Tricia McLaughlin, deklaroi në platformën X se ngjarja ndodhi kur “protestues të dhunshëm” u përpoqën të ndërhynin në një operacion të ICE-s.

Sipas saj, një nga protestuesit tentoi të “kalonte me makinë mbi oficerët e zbatimit të ligjit me qëllim t’i vriste ata”, duke e cilësuar veprimin si akt terrorizmi të brendshëm.

Megjithatë, kjo deklaratë u kundërshtua ashpër nga kryebashkiaku i Mineapolisit, Jacob Frey, i cili hodhi poshtë versionin e DHS-së.

“E kam parë vetë videon dhe dua t’ua them të gjithëve drejtpërdrejt: kjo është marrëzi. Kjo ishte një përdorim i pamatur i pushtetit nga një agjent, që përfundoi me humbjen e një jete,” tha Frey.

Comments