Trump ashpërson gjuhën: Çdo vend që bën biznes me Iranin do përballet me tarifa 25 përqind

107

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të hënën se çdo vend që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit do të përballet menjëherë me një tarifë prej 25 për qind mbi të gjitha bizneset dhe tregtinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trump publikoi njoftimin në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social, duke u shprehur se urdhri është përfundimtar.

Deklarata vjen ndërkohë që Irani po përballet me protestat anti-qeveritare më të mëdha që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 dhe si pjesë e përpjekjeve të administratës amerikane për të shtypur ekonomikisht regjimin e Teheranit. Trump nuk ka publikuar ende dokumentacion zyrtar ose ligjor në faqen e Shtëpisë së Bardhë që shpjegon se nën çfarë autoriteti ligjor do të vendosen këto tarifa, dhe as detaje për implementimin e tyre.

Shtetet që mund të ndikohen nga masa e re përfshijnë vende me marrëdhënie tregtare të rëndësishme me Iranin, si Kina, Turqia, India, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Iraku, të gjitha vende që janë partnerë të mëdhenj tregtarë me Teheranin.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha më herët se administrata nuk përjashton as opsionet ushtarake si një nga “opsionet e shumta në tavolinë” për të trajtuar situatën me Iranin, por theksoi se diplomacia mbetet opsioni i preferuar.

Irani është nën sanksione të ashpra amerikane prej kohësh, dhe tani shtetet që vazhdojnë të bëjnë biznes me Teheranin do të detyrohen të zgjedhin mes një tregtie të favorshme me SHBA-në ose vazhdimit të marrëdhënieve ekonomike me Iranin, me pasoja të mundshme.

Comments