Përçarje në AKI për ulëset e opozitës në tryezën e liderëve?

170

Burime të Zhurnal nga brenda AKI bëjnë të ditur se ditëve të fundit ka pasur përplasje serioze politike rreth çështjes se kush duhet ta përfaqësojë opozitën shqiptare në takimin e paralajmëruar të liderëve.

Sipas këtyre informacioneve, përplasja kryesore është zhvilluar mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Tensionet kanë lindur për shkak të pretendimeve të dy palëve se kush ka legjitimitetin politik dhe peshën për të përfaqësuar opozitën në një takim që pritet të ketë rëndësi të veçantë për zhvillimet e ardhshme politike në vend.

Burimet tona bëjnë me dije se Arben Taravari, duke u thirrur në rezultatet zgjedhore, mbështetjen aktuale në opinion dhe rolin e Aleancës për Shqiptarët në skenën politike, ka shprehur qëndrimin se opozita duhet të përfaqësohet në mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe jo vetëm nga një figurë e vetme.

Sipas tij, përfaqësimi ekskluziv nga Ali Ahmeti do të krijonte perceptimin se opozita shqiptare nuk ka ndryshuar dhe se vazhdon të dominohet nga të njëjtat struktura politike.

Në anën tjetër, burime të afërta me Ali Ahmetin theksojnë se ai mbetet figura me përvojën më të gjatë politike, me autoritet ndërkombëtar dhe me kapacitet për të artikuluar kërkesat e opozitës në një tryezë ku pritet të diskutohet për tema të ndjeshme shtetërore.

Sipas këtij qëndrimi, pjesëmarrja e Ahmetit në takimin e liderëve shihet si një garanci për seriozitetin e procesit dhe për ruajtjen e peshës politike të opozitës shqiptare.

Vlerësohet se kjo përplasje reflekton më shumë se një mosmarrëveshje personale. Ajo pasqyron një betejë më të gjerë për lidership brenda kampit opozitar shqiptar, ku përballen dy koncepte: njëra që synon vazhdimësinë dhe stabilitetin përmes figurave tradicionale, dhe tjetra që kërkon rifreskim, rotacion dhe ndarje më të qartë nga politikat e së kaluarës.

Sipas të njëjtave burime, pavarësisht debateve dhe qëndrimeve të kundërta, epilogu i kësaj përplasjeje tashmë duket i qartë. Për Zhurnal thuhet se, megjithatë, Ali Ahmeti do të jetë ai që do të marrë pjesë në takimin e liderëve, duke përfaqësuar opozitën në këtë proces.

Megjithatë, kjo zgjidhje nuk pritet ta mbyllë debatin brenda AKI-së.

Përkundrazi, burimet tona paralajmërojnë se pakënaqësitë e shprehura nga krahu i Arben Taravarit mund të thellojnë tensionet e brendshme dhe të ndikojnë në funksionimin e mëtejmë të opozitës shqiptare.

Takimi i liderëve, në këtë kontekst, nuk shihet vetëm si një ngjarje protokollare, por si një test i rëndësishëm për unitetin, kohezionin dhe drejtimin e ardhshëm politik të opozitës në vend.

Comments