“Safe City” nis në Tetovë: qytetarët marrin paralajmërime për shkeljet në trafik

183

Nga mbrëmja e djeshme, në qytetin e Tetovës ka filluar të funksionojë sistemi “Safe City”, shkruan tetova1

Si pasojë e aktivizimit të sistemit “Safe City”, qindra qytetarë kanë pranuar mesazhe për shkelje në komunikacion.

Kohë më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, kishte bërë të ditur se sistemi “Safe City” fillimisht do të funksionojë në qytetin e Shkupit, komunën e Tetovës dhe Kumanovës, ndërsa në gjithë territorin e shtetit pritet të vihet në funksion deri në mesin e vitit 2026.

“Para se të nis funksionimi formal i sistemit, së paku një muaj më herët do të fillojmë me periudhën testuese, gjatë së cilës qytetarët dhe shoferët do të informohen se kanë bërë shkelje të caktuara. Formialisht, në përputhje me hyrjen në fuqi të ligjeve që duhet të ndryshohen për të mundësuar implementimin e këtij projekti, sistemi do të nisë më 1 janar 2026. Po punojmë intensivisht në ndryshimet ligjore”, ka deklaruar Toshkovski.

Gjatë kësaj periudhe, shoferët do të marrin vetëm paralajmërime pa gjobë, ndërsa zbatimi i plotë i sistemit do të fillojë nga janari.

Sipas procedurave të parashikuara, çdo pronar automjeti, shkelja e të cilit dokumentohet nga sistemi, do të marrë një njoftim përmes SMS-it dhe emailit, i cili do të përmbajë një link për shkarkimin e raportit dhe urdhrit të pagesës. Nga momenti i pranimit të njoftimit, do të ketë afat prej tetë ditësh për të paguar gjysmën e gjobës. Pas skadimit të këtij afati, shuma duhet të paguhet e plotë brenda tetë ditëve të ardhshme, përpara se të nisë procedura e mbledhjes me forcë.

Gjobat do të mund të paguhen edhe në mënyrë elektronike, ndërsa sistemi do të njoftojë menjëherë Ministrinë e Punëve të Brendshme për pagesën e kryer./tetova1.mk/

Comments