Presidenti polak: Vetëm Trump mund ta ndalojë Putinin

81

Presidenti i Polonisë, Karol Naurocki, tha për BBC se vetëm Donald Trump është lideri botëror i aftë të ndalojë Vladimir Putinin dhe të sigurojë Evropën nga kërcënimet ruse.

Në një intervistë për Radio 4, ai theksoi se Rusia nuk mund të besohej, por Europa duhet të bëjë gjithçka për të mbështetur Trump në përpjekjet e tij për të përfunduar luftën në Ukrainë. Naurocki kujtoi edhe sulmin masiv të dronëve rusë në shtator të vitit të kaluar, kur më shumë se 20 dronë kaluan kufijtë polakë, duke e cilësuar si një situatë të jashtëzakonshme dhe test të mbrojtjes dhe solidaritetit të NATO-s.

Ai falënderoi Britaninë për dërgimin e avionëve RAF Typhoon për të mbrojtur kufijtë e Polonisë dhe theksoi se vendi i tij ka qenë në një luftë hibride me Rusinë që nga viti 2021, duke përballuar dronë dhe fushata dezinformimi.

Presidenti polak kritikoi gjithashtu liderët evropianë që, sipas tij, janë të përqendruar në çështje ideologjike si klima dhe migracioni, duke mos ndërtuar reziliencë dhe siguri për kontinentin, ndërsa Polonia shpenzon gati 5% të PBB-së për mbrojtjen.

Ai theksoi se marrëdhëniet me Britaninë janë jashtëzakonisht të rëndësishme, duke falënderuar ushtarët britanikë të stacionuar në Poloni për rolin e tyre në krahun lindor të NATO-s dhe shprehu shpresën që Polonia të ftohet për pjesëmarrje në samitin e ardhshëm të G20-së që do të mbahet në Britani. Për çështjen e Groenlandës, Naurocki tha se diskutimi duhet të mbetet mes kryeministres daneze dhe Trump, duke shpresuar se do të zgjidhet përmes dialogut dhe NATO-s.

Comments