De Rossi kërkon me çdo kusht transferimin e yllit shqiptar te Genoa

223

Daniele De Rossi po punon intensivisht për ta nxjerrë Genoan nga momenti i vështirë, ndërsa drejtuesit e klubit janë gati ta mbështesin me përforcime në afatin kalimtar.

Pas barazimit 1-1 ndaj Milanit dhe fitores bindëse 3-0 kundër Cagliarit, kuqeblutë kanë nisur lëvizjet konkrete për të rritur cilësinë në mesfushë.

Sipas raportimeve nga Italia, Kristjan Asllani është një nga objektivat kryesorë të Genoas në këtë afat kalimtar.

Sky Sport bën me dije se klubi po monitoron nga afër situatën e mesfushorit shqiptar dhe po shqyrton mundësinë e afrimit të tij.

Ideja e Genoas është t’i ofrojë De Rossit një mesfushë më të ekuilibruar dhe funksionale, me lojtarë që dinë të menaxhojnë ritmin e lojës dhe presionin në momentet delikate.

Në këtë kuadër, profili i Asllanit vlerësohet shumë: një organizator para mbrojtjes, i saktë në pasime, i fortë në ndërprerje dhe me eksperiencë në Serie A.

Aktualisht Asllani është i huazuar nga Interi te Torino, por aventura me “Granata” duket drejt fundit, pasi mesfushori shqiptar nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Marco Baroni.

Ndërsa pritet një zgjidhje mes Interit dhe Torinos për të ardhmen e tij, Genoa është futur seriozisht në garë për ta transferuar.

Në këtë sezon të Serie A, Asllani ka regjistruar 15 paraqitje me Torinon, pa mundur të gjejë rrugën e rrjetës.

Megjithatë, vlerat e tij mbeten të padiskutueshme dhe interesi për shërbimet e tij ka qenë i madh, me klube si Parma, Fiorentina, Sassuolo, Girona dhe Paris FC që janë përmendur më herët.

Nëse Genoa arrin të plotësojë këto kërkesa dhe të gjejë gjuhën e përbashkët me Interin, Asllani mund të jetë një nga përforcimet kyçe për ekipin e De Rossit në pjesën e mbetur të sezonit.

Comments