SHBA presion Meksikës për të lejuar forcat amerikane të luftojnë kartelet

97

Shtetet e Bashkuara po intensifikojnë presionin ndaj Meksikës për të lejuar forcat ushtarake amerikane të kryejnë operacione të përbashkëta, për të çmontuar laboratorët e fentanilit brenda vendit, raportoi të enjten New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë.

Zyrtarët amerikanë duan që forcat amerikane, qoftë trupa të Operacioneve Speciale apo oficerë të CIA-s, të shoqërojnë ushtarët meksikanë në bastisjet në laboratorët e dyshuar të fentanilit, thuhet në raport, duke cituar disa zyrtarë të paidentifikuar.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i tha Fox News javën e kaluar se kartelet po drejtonin Meksikën dhe sugjeroi që SHBA-të mund të godisnin objektiva tokësore për t’i luftuar ato, në një nga një sërë kërcënimesh për të vendosur forcë ushtarake amerikane kundër karteleve të drogës.

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum tha këtë javë se përjashton një ndërhyrje ushtarake amerikane për të luftuar kartelet e drogës, pas një “bisede të mirë” me Trump mbi sigurinë dhe trafikimin e drogës.

Kërkesa e SHBA-së drejtuar Meksikës për të përdorur forcat amerikane u ripërtëri pasi forcat e Uashingtonit kapën presidentin venezuelian Nicolas Maduro në një bastisje më 3 janar, thuhet në raportin e New York Times.

Sheinbaum më parë ka refuzuar ofertat për veprime ushtarake nga Trump.

Reuters nuk mundi ta verifikonte menjëherë raportin e New York Times. Shtëpia e Bardhë dhe Ministria e Jashtme e Meksikës nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese të Reuters për koment jashtë orarit të rregullt të punës./ Reuters.

Comments