“Nga politika te luksi: Vetura e Bilall Kasamit me vlerë deri në 150 mijë euro”
Valë komentesh e reagimesh për veturën luksoze me të cilën delegacioni i koalicionit VLEN i kryesuar nga Bilall Kasami zbriti dje në Klubin e Deputetëve për takimin e liderëve.
Nëpër rrjetet sociale qytetarët kritikojnë zgjedhjen e Kasamit, i shfaqur me një BMW të serisë 7 që kushton nga 100 deri në 150 mijë euro, në rrethana kur standardi jetësor i qytetarëve është i ulët, shteti i zhytur në borxhe dhe mbarë ekonomia është në krizë.
Makina e tillë la jashtë vëmendjes edhe shërbimin e përgjithshëm të qeverisë, me Shkodë zyrtare Superb për kryeministrin, ndërsa Ali Ahmeti me një Audi A8 model i vitit 2018 që gjithashtu kushton te rreth 60 mijë euro. Duke marrë në konsideratë standardin e qytetarëve, dhe natyrën e një mbledhje që priste të zgjidhte fatet politike të tyre, takimi i liderëve mori epitetin e një parade me makina pasanikësh, si ato në Monako.
Bashkë me makinën që erdhi Kasami, vëmendje tërhoqën edhe targat e makinës me numrin simbolik 7777, i njohur si numri i engjëllit, duke simbolizuar prestigjin dhe fatin.
ALSAT kërkoi qëndrim zyrtar nga Bilall Kasami, i cili na tregoi se BMW-ja ka qenë një veturë në përdorim, pasi ajo zyrtarja është në riparim.
“E kuptoj ndjeshmërinë e opinionit për këto çështje, sidomos në një kohë kur qytetarët përballen me vështirësi ekonomike. Për mua, mjetet dhe gjërat materiale nuk janë thelbësore. Thelbësore janë përgjegjësia, puna dhe rezultatet në shërbim të qytetarëve”, u përgjigj Kasami.
Jozyrtarisht, makina e djeshme i përket një familjari të Kasamit./ Alsat.mk

