Në aksionin e dytë që ka zhvilluar Policia e Kosovës të enjten në lidhje me vjedhjen e votave në Prizren, është arrestuar edhe koordinatori kryesor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për regjionin e Prizrenit, Nysret Bytyçi, i cili ka kontratë të përhershme, merr vesh VOX Kosova nga burimet e saj brenda organeve të rendit.
Përveç tij, VOX kupton se edhe rreth 30 persona janë duke u intervistuar në lidhje me manipulimin e votave.
Të enjten, Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke vazhduar hetimet në lidhje me manipulimin e votave të kandidatëve për deputetë, që përfshijnë grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.
Hetimet, siç theksohet, kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale “të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.
Në lidhje me manipulimin e votave, në Prizren, të premten e kaluar u ndaluan 109 persona të cilët dyshohen se janë të përfshirë në këtë fenomen, prej të cilëve 23 përfunduan në paraburgim. Po ashtu, edhe në Malishevë të mërkurën u ndaluan 15 persona, ndërsa u intervistuan edhe 43 të tjerë.

