Propozimi i fortë/ Joschka Fischer bën thirrje për një bombë bërthamore për të gjithë Europën

128

Kërkesë tronditëse nga politika e lartë gjermane!

Ish-ministri i Jashtëm, Joschka Fischer (77 vjeç, ‘Të Gjelbrit’) shprehet hapur pro armatimit bërthamor të Europës: “Europa duhet ta bëjë këtë, sepse garancia mbrojtëse amerikane tani e tutje është e pasigurt”, tha Fischer për gazetën Tagesspiegel. Megjithatë, ish-ministri e refuzon qartë idenë e një bombe atomike vetëm gjermane.

Fischer i referohet mësimeve të historisë: “Gjermania ka përgjegjësi të marrë një rol udhëheqës në Europë, por gjithmonë së bashku me të tjerët”.

Prandaj, Fischer propozon një armatim bërthamor të përbashkët për të gjitha shtetet e BE-së. Do të ishte një gabim i madh nëse Gjermania do ta shihte armatimin atomik si një sfidë thjesht kombëtare, thekson ish-politikani. “Gjermania nuk duhet të veprojë më kurrë e vetme, kurrë më. Na duhen partnerët tanë europianë”.

Fischer: Sot do të shërbeja në ushtri

Ish-ministri i ‘Të Gjelbërve’ përdor fjalë të forta për kërcënimeve aktuale. Po të ishte sot i ri, ai do të shkonte në Bundeswehr (ushtria gjermane).

“Kohët kanë ndryshuar”, tha Fischer. “Ne jemi të kërcënuar. Duhet të mbrohemi”.

Ai thekson gjithashtu se çarmatimi nuk është më një opsion. Armatimi ushtarak është i domosdoshëm për mbrojtjen e Europës. Vetëm përmes forcës dhe parandalimit mund të pengohet një sulm: vetëm kështu mund të ndalohet një “fqinj i gatshëm për agresion” nga një sulm i mundshëm.

“Që unë do ta thosha ndonjëherë këtë, as vetë nuk do ta kisha imagjinuar. E gjithë karriera ime politike ka qenë më tepër në kahun e kundërt”.

Përfundimi i hidhur i Fischer: “Për shumë kohë kemi jetuar me iluzionin e një paqeje të përjetshme në Europë”. Këto mangësi, sipas tij, duhet të kompensohen tani me një “armatim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës”.

Bombë atomike gjermane? Ekspertët kërkojnë debat

Ndërsa Fischer mbështet një zgjidhje europiane, zërat që kërkojnë një bombë atomike gjermane po shtohen.

“Çështja bërthamore është thelbi i sovranitetit kombëtar të një shteti”, tha Harald Biermann (60 vjeç), president i Fondacionit “Haus der Geschichte” në Bon, për Rheinische Post. Kërkesa e tij: “Edhe Gjermania duhet ta trajtojë këtë pyetje”. Bëhet fjalë për asgjë më pak se ekzistencën e Republikës Federale të Gjermanisë.

Nga ana teknike, Gjermania duket se do të ishte gati më shpejt sesa mendojnë shumëkush. Kimisti Rainer Moormann (75 vjeç), i cili për më shumë se tre dekada ka bërë kërkime në teknologjinë bërthamore në Qendrën Kërkimore të Jülich-ut, thotë se Gjermania do të ishte “në gjendje të ndërtonte një bombë atomike brenda tre vitesh”.

Comments