Trump: Irani dëshiron marrëveshje, jo përballje ushtarake

87

Donald Trump ka thënë se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje në vend që të përballet me veprime ushtarake nga SHBA-ja, pavarësisht këmbënguljes së Teheranit se sistemet e tij raketore dhe të mbrojtjes “kurrë” nuk do të jenë pjesë e negociatave.

“Pos mund të them këtë: ata duan të bëjnë një marrëveshje,” u tha presidenti amerikan gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të premten, kur u pyet për grumbullimin e forcave në Gjirin Persik, pa dhënë detaje.

Ai e kishte paralajmëruar Teheranin të mërkurën se koha po “mbaron” për të negociuar një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor, pasi një flotë e madhe detare amerikane ishte grumbulluar pranë vendit.

Ministri i Jashtëm i Iranit tha se aktualisht nuk ka bisedime të planifikuara me SHBA-në, por se Teherani është i hapur për negociata të bazuara në “respekt të ndërsjellë” dhe besim.

Gjithashtu të premten, Kremlini njoftoi se kreu i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, ishte takuar me presidentin rus Vladimir Putin.

Ata diskutuan “çështje të Lindjes së Mesme dhe ndërkombëtare”, ndër të tjera, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Ria-Novosti.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor dhe ka mohuar vazhdimisht akuzat nga SHBA-ja dhe aleatët e saj se po kërkon të zhvillojë armë bërthamore.

I pyetur të premten nëse i kishte vendosur Teheranit një afat për arritjen e një marrëveshjeje, Trump tha se “vetëm ata e dinë me siguri”.

Ai u tha gazetarëve: “Shpresojmë të bëjmë një marrëveshje. Nëse e bëjmë një marrëveshje, kjo është mirë. Nëse nuk e bëjmë një marrëveshje, do të shohim se çfarë do të ndodhë.”

Ai tha se një “Armada” e madhe ishte duke u nisur drejt rajonit dhe refuzoi të jepte një afat për tërheqjen e saj: “Do të shohim se si do të shkojnë gjërat. Ato duhet të lundrojnë diku, kështu që më mirë të lundrojnë pranë Iranit.”

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, kishte deklaruar më herët se sistemet e mbrojtjes raketore të vendit “kurrë” nuk do të jenë në tryezën e negociatave dhe përsëriti qëndrimin e qeverisë se programi bërthamor i Iranit është paqësor.

Në një konferencë për shtyp me homologun e tij turk, pas bisedimeve në Stamboll për të shmangur veprimet amerikane, ai tha se nevojiten përgatitje për “negociata të drejta dhe të ndershme”.

Paralajmërimi i Trump lidhur me një marrëveshje bërthamore të mërkurën erdhi pasi ai kishte premtuar se Uashingtoni do të ndërhynte për të ndihmuar ata që u përfshinë në një shtypje brutale të protestave në vend më herët këtë muaj.

Ai kishte thënë se ndihma ishte “në rrugë”, përpara se të deklaronte se ishte informuar se ekzekutimet e demonstruesve kishin ndaluar.

Të enjten, ai tha se i kishte thënë Iranit se duhej të bënte dy gjëra për të shmangur veprimet ushtarake: “E para, pa armë bërthamore. Dhe e dyta, ndaloni vrasjen e protestuesve.”

Agjencia amerikane e lajmeve Human Rights Activists News Agency (HRANA) tha se kishte konfirmuar vrasjen e më shumë se 6,300 personave, përfshirë mbi 5,900 protestues, që nga fillimi i trazirave në fund të dhjetorit.

Ajo shtoi se po hetonte gjithashtu rreth 17,000 vdekje të tjera të raportuara, të marra pavarësisht ndërprerjes së internetit për gati tre javë.

Një tjetër organizatë, Iran Human Rights (IHR) me seli në Norvegji, ka paralajmëruar se numri përfundimtar i viktimave mund të tejkalojë 25,000.

Comments