Abdixhiku po e vazhdon fjalimin para delegatëve: Prijësi në LDK është i ndryshueshëm, prandaj gjithmonë goditet i pari
Abdixhiku po e vazhdon fjalimin para delegatëve: Prijësi në LDK është i ndryshueshëm, prandaj gjithmonë goditet i pari
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij para Kuvendit të partisë, i cili do të ketë një votëbesim për punën e tij pas këtij fjalimi, tha se është sulmuar edhe nga brenda partisë.
“Për aq sa kam qenë kryetar, kam dëgjuar deformime që nuk ia dëshiroj askujt. Sulme që nuk ndalen, që nuk kuptohen dhe ndaj të cilave, nuk kam pasë asnjë përgjigje normale. Këto sulme jo rrallëherë kanë qenë edhe nga brenda, në emër të trashëgimisë e të kontributit dekadësh. Janë ngritur fjalë që s’e njohin as trashëgiminë e as kontributin”, tha ai.
Abdixhiku tha se gjithmonë kryetari i LDK-së ka qenë i synuar për shkak se të demokracisë së kësaj partie.
“Të jesh subjekt konstant i diskutimit publik je edhe tabelë qitje. Dhe në këtë tabelë qitje, më shumë se gjithçka tjetër do të synohet natyrisht lidershipi. Sepse në LDK-në demokratike, si në asnjë parti tjetër, pika më e ndryshueshme, nuk është programi, nuk është orientimi, nuk janë vlerat, por është prijësi. Prijësi në LDK është i ndryshueshëm, prandaj LDK-së gjithmonë i goditet fillimisht prijësi. Sepse kur e godet prijësin e vë gjithë partinë në mbrojtje. Dhe kur një parti ndërrohet vazhdimisht aj nuk ndërton më, ajo vetëm përpiqet të mbijetojë. Gjatë pesë vjetëve të fundit dhe jo vetëm, edhe për të tjerët para meje, kryetari i LDK-së është goditur pa hezitim, jo sepse ka qenë i lig, jo pse ka qeverisur keq apo ka bërë ndonjë problem të madh kombëtar, por sepse është kryetari i LDK-së i goditshëm, i ndryshueshëm, i ekspozuar”.
Abdixhiku tha se problemi s’ka qenë me të.
“Ta bëjmë të qartë, problemi s’ka qenë dhe nuk është me mua si Lumir, të jeni të sigurt se në momentin që nuk jam kryetar i LDK-së do të jem i njëjti njeri me të njëjtin integritet e pastërti profesionale e personale. Problemi gjithmonë ka qenë me kryetarin e LDK-së dhe rrjedhimisht me secilin prej jush. Me secilin prej jush që merr përgjegjësi në këtë shtëpi”./Express/

