Kurti vlerëson veprën e Hazir Rekës: Dëshmitar i qetë i historisë sonë

90

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar lart veprën dhe kontributin e fotografit Hazir Reka, duke e cilësuar atë si një dëshmitar të qetë dhe të thellë të kohës sonë.

Në një postim, Kurti ka theksuar se përmes fotografisë, Reka ka ruajtur tensionet e ngjarjeve, peshën e gjendjeve dhe fytyra të papara, ku pritja bashkon ankthin me shpresën, ndërsa dinjiteti ndan dhimbjen nga frika. Sipas tij, Hazir Reka ka dokumentuar guximin dhe krenarinë, vuajtjet dhe rreziqet që populli i Kosovës i ka përjetuar përgjatë tri dekadave.

Kryeministri ka bërë të ditur se veprat, produktet, mjetet dhe aparatet fotografike të Rekës janë arkivuar dhe po ekspozohen në studion e tij të veçantë në fshatin e lindjes, Nerodime të Ferizajt, në një ambient të këndshëm dhe përplot bukuri.

“Fotografia e tij është kujtesë publike që reziston me estetikë dhe një akt ndërgjegjeje që përgjigjet me qytetari”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se përmes dokumentimit të asaj që sheh, Reka rikthen shoqërinë në vendet ku janë shkrepur fotografitë dhe krijon një proces edukimi për brezat.

Në fund, Kurti ka falënderuar përzemërsisht Hazir Rekën dhe familjen e tij për mikpritjen e ngrohtë, kohën, respektin dhe bujarinë, duke i uruar shëndet, frymëzim dhe suksese të mëtejshme.

Comments