Ivan Dragnić, një nga shtetasit serbë që u arrestua në një aksion të madh policor në Serbi për pesë tonë marihuanë, për të cilën dyshohet se është futur nga Maqedonia e Veriut, ka kompani në Shkup, ku është bashkëpronar me edhe tre shtetas të tjerë serbë.
Bëhet fjalë për kompaninë ALPHAPHARM GROUP SHPK Shkup, e themeluar në vitin 2023, me kapital themeltar prej 529.050 eurosh. Kompania është e regjistruar për kultivimin dhe përpunimin e bimëve aromatike, mjekësore dhe erëzave për përdorim farmaceutik.
Sipas të dhënave nga Regjistri Qendror, bashkëpronarë të kompanisë janë Ivan Dragnić, Predrag Brković, Robert Zhivković dhe Jovana Mijalović.
Megjithatë, nga të dhënat rezulton se kompania nuk ka funksionuar mirë financiarisht, pasi ka operuar me humbje.
Të dhënat e fundit janë për vitin 2024, kur kompania ka raportuar humbje prej mbi 8 milionë denarësh.
Gazeta “Fokus” ka siguruar gjithashtu informacion se më 16 prill 2024, në Fletoren Zyrtare ishte publikuar vendimi sipas të cilit kjo kompani kishte marrë pëlqim për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Siç njoftuan dje organet hetimore serbe, sipas planit të organizatorit, i dyshuari Ivan Dragnić e ka transportuar drogën përmes kufirit shtetëror drejt një magazine të lidhur me familjen Spasojević, prej nga i dyshuari Uroš Mladenovski e ka marrë për shpërndarje të mëtejshme në tregun serb.
Sipas të dhënave zyrtare, bëhet fjalë për saktësisht 5.002.079,18 gramë marihuanë, çka e bën këtë konfiskim më të madhin në historinë e Serbisë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi se bëhet fjalë për konfiskimin më të madh të drogës ndonjëherë në vend, duke theksuar se aksioni përfaqëson një rekord historik për policinë serbe. Sipas të dhënave zyrtare, rekordi i mëparshëm ishte 1.960 kilogramë, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar në Serbi ishin konfiskuar gjithsej 6,1 ton substanca të ndryshme narkotike.

