Qeveria fokusohet te konfiskimi, mbi 50 raste korrupsioni të lartë në shqyrtim

64

Katër muaj pas themelimit, Këshilli nacional për hetime financiare dhe konfiskimin e pronës, mbajti sot seancën e parë konstituive. Raporti i Këshillit, me të cilin udhëheq zv.kryeministri Fetai, sipas deklaratave të zyrtarëve qeveritar, flet për një numër dukshëm më të lartë të hetimeve financiare gjatë vitit 2025 në krahasim me vitet e kaluara. Gjithashtu, ata thonë se gjatë vitit të kaluar në buxhet janë kthyer 452 milion denarë nga pronat e konfiskuara.

“Për momentin, më shumë se 50 lëndë për korrupsion të lartë janë në procedurë, raste të cilat me vite janë fshehur, janë zvarritur ose janë injoruar. Por ky nuk është fundit, por vetëm fillimi. Presim hapjen e lëndëve të reja…” – Hristijan Mickoski, Kryeministër.

“Janë hedhur themelet e duhura por faza e ardhshme kërkon vullnet politik, më shumë investime financiare dhe më shumë koordinim… Ne duhet të përcaktojmë prioritete të qarta, të heqim bllokadat sistemore, të sigurojmë që burimet financiare të ndjekin politikat dhe të kërkojmë rregullisht rezultate,” tha Arben Fetai, Zv.kryeministër për qeverisje të mirë.

“Në Agjendën e reformave, qeveria ka përfshirë masa… Qëllimi është të krijohen detyrime për të shtuar hetimet financiare dhe për ndërprerjen dhe konfiskimin e aseteve kriminale si dhe përforcimi i kapaciteteve njerëzore dhe teknike për të bërë Agjencinë për konfiskimin e pronës plotësisht funksionale,” deklaroi Mihalis Rokas, Ambasador i BE-së.

Pavarësisht deklaratave të zyrtarëve politikë, institucionet hetuese si prokuroritë dhe gjykatat vazhdojnë të përballen me mungesë kuadri, kryesisht mungesë të ekspertëve financiarë, Drejtoria e Policisë Financiare ka kapacitete të kufizuara njerëzore dhe teknike kurse Agjencia për menaxhimin e pronës së konfiskuar nuk është plotësisht funksionale. /alsat.mk

Comments