Lufta në Ukrainë hyn në vitin e pestë – mes negociatash e luftimesh

125

Ukraina ka hyrë në vitin e pestë të luftës së nisur nga Rusia – konflikti më i madh i armatosur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – teksa trupat ushtarake ukrainase mbajnë vijën e frontit nga sulmet e ashpra në llogoret e ngrira.

Përgjatë gjithë kësaj kohe, civilët janë përballur me sulme masive me dronë dhe raketa, të cilat e kanë dëmtuar rëndë sistemin energjetik, mes motit të acartë të dimrit.

Shifrat për viktimat ndryshojnë, mirëpo sipas një raporti të publikuar së fundmi, besohet se numri i të vrarëve, plagosurve dhe të zhdukurve shkon në deri 1.2 milion rusë dhe 500-600.000 ukrainas.

Konflikti, gjithashtu, i ka zhvendosur miliona ukrainas prej shtëpive të tyre.

Banka Botërore ka thënë se rimëkëmbja e ekonomisë ukrainase do të kushtonte 588 miliardë dollarë brenda një dekade.

Mirëpo, në mënyrë që ky proces të fillojë, lufta duhet të marrë fund.

Bisedimet për paqe

Negociatat për paqe, të lansuara nga presidenti amerikan Donald Trump pasi e ka marrë mandatin presidencial në janar të vitit 2025 nuk kanë shënuar ndonjë përparim të madh – ndonëse runde të bisedimeve do të vazhdojnë të zhvillohen më vonë gjatë javës, sipas autoriteteve ukrainase.

Në rundin e fundit të bisedimeve, i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff ka thënë se është arritur “përparim i dukshëm”, por pa dhënë më shumë hollësi, dhe që të dyja palët janë pajtuar që të punojnë drejt arritjes së një marrëveshjeje.

“Mendoj që me kalimin e kohës, të dyja palët janë duke e vërejtur një rritje presioni – si ekonomik, ashtu edhe sa i përket politikës së jashtme – nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë analisti politik Anton Penkovsky për televizionin Current Time të Radios Evropa e Lirë.

“Secilën herë e më shumë po dëgjojmë pyetje specifike për territoret, çështjen e Donbasit”, ka shtuar ai.

Pas disa muajve të bisedimeve, çështja territoriale mbetet njëra prej pengesave kryesore për paqe. Rusia kërkon nga Ukraina që të heqë dorë nga territori që zotëron në rajonin e Donbasit, pavarësisht se nuk ka arritur ta marrë atë me forcë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka refuzuar të gjitha diskutimet në këtë drejtim, duke thënë se i duhet të mbajë referendum, por beson që ukrainasit nuk do të pajtoheshin kurrë për dorëzim të tokës.

Në adresimin e tij për të shënuar përvjetorin e katërt të luftës së nisur nga Rusia, Zelensky ka thënë se Ukraina do të bëjë gjithçka për të siguruar paqe dhe drejtësi.

“Putini nuk i ka arritur synimet e tij. Nuk i ka thyer ukrainasit. Ai nuk e ka fituar këtë luftë. Ne i kemi ruajtur ukrainasit dhe do të bëjmë gjithçka për të garantuar paqe dhe drejtësi”, ka thënë ai përmes një video-adresimi të lëshuar më 24 shkurt.

Ceremonitë në Kiev

Më 24 shkurt, ditën e përvjetorit, Zelensky do të mbajë fjalim me video-lidhje para Parlamentit Evropian, dhe do të mirëpresë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në Kiev.

Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore zyrtare dhe do të shohin nga afër infrastrukturën e energjisë të dëmtuar nga sulmet ruse me raketa, sipas komunikatave për shtyp të BE-së.

Kombet evropiane kanë tentuar që të mbushin zbrazësinë prej kur presidenti Trump ka vendosur që të zvogëlojë në masë të madhe mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Nën skemën e NATO-s, shtete evropiane tani blejnë armë amerikane dhe pajisje tjera ushtarake për Ukrainën, teksa vazhdojnë të dërgojnë edhe furnizime të veta në Kiev.

Vitin e kaluar disa vende evropiane, plus Kanadaja me aleatë tjerë, e kanë formuar atë që njihet si “Koalicioni i Vullnetit” për të koordinuar mbështetjen ukrainase dhe për të bërë përgatitje për një mision potencial paqeruajtës pasi të përfundojë lufta.

Ky koalicion do të mbajë një video-konferencë më 24 shkurt, nën udhëheqjen e kryeministrit britanik, Keir Starmer dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Garancitë e sigurisë

Angazhimi i trupave ushtarake perëndimore në Ukrainë është kërkesë edhe e Kievit. Ai kërkon garanci të sigurisë, në mënyrë që Moska të mos shfrytëzojë ndonjë pushim vetëm për t’u riarmatosur dhe për të kryer sulme tjera në të ardhmen.

Edhe kjo është çështje problematike, pasi zyrtarët e Kremlinit nuk e pranojnë assesi idenë e angazhimit të trupave perëndimore në Ukrainë.

Shumë analistë madje besojnë se Rusia nuk është e interesuar për paqe.

“Plani i saj është që t’i dërmojë kapacitetet e Ukrainës për të rezistuar”, ka shktuar Jack Watling prej Instituti Royal United Services më 23 shkurt.

“Rusët besojnë se mund ta shtyjnë përpara luftën deri më 2027 dhe e shohin procesin aktual të negociatave si mjet për ta futur në pykë aleancën transatlantike”.

Me 23 shkurt, teksa u ka dhënë medalje disa ushtarëve që kanë luftuar në Ukrainë, Putin nuk ka dhënë sinjale se synon ndaljen e luftës.

“Ju qëndroni me vendosmëri për Rusinë”, u ka thënë ai ushtarëve.

“Ne i nderojmë të gjithë ata që duke rrezikuar jetën e tyre, por me kurajë dhe trimëri, me dashuri për Rusinë, i mbrojnë kufijtë tanë”, ka deklaruar ai, duke përsëritur qëndrimin se Rusia është duke e mbrojtur veten, kur në fakt është duke pushtuar pjesë të mëdha të territorit të Ukrainës dhe ka ambicie edhe për më shumë.

Duke folur për një ekip të Radios Evropa e Lirë në Kramatosrk, qytezë në lindje të Ukrainës që është nën sulme të vazhdueshme ruse, një banore lokale ka folur me shumë dëshirë për paqen që e presin të gjithë në Ukrainë.

“Uroj që të pajtohen për diçka të mirë. Lutemi për këtë gjë. Njerëzit kanë vuajtur aq shumë”, ka thënë ajo.

Teksa ajo e ka përfunduar urimin, një shpërthim i madh është dëgjuar në afërsi./

Comments