Kurti me preferenca të qarta për president nga familja Jashari: Bashkimi ose Bekimi, jo Murati

126

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i VV-së Albin Kurti duket se e ka ndarë mendjen që president i ardhshëm të jetë një figurë unifikuese. Në këtë drejtim, ai po dëshiron që për shef të shtetit të propozohet dikush nga familja Jashari. Për këtë qëllim, Kurti ka shkuar edhe në kullën e Jasharëve të dielën në mesnatë.

Megjithatë, për të parin e VV-së jo të gjithë propozimet e mundshme nga familja emblematike janë të dëshirueshme.

Gazeta Nacionale ka mësuar se Kurti ka preferencat e tij të qarta se kush nga anëtarët e familjes legjendare duhet të jetë kandidat për president.

Për postin e shefit të ri të shtetit, sipas një burimi të gazetës, Kurti preferon Bashkim Jasharin, komandantin aktual të FSK-së, dhe Bekim Jasharin, ish-kryetarin e Komunës së Skenderajt.

I njëjti burim i ka treguar gazetës se Kurti nuk e pëlqen si kandidat për president Murat Jasharit, profesorin universitar të kësaj familje.

Ky i fundit, sipas burimit, është preferencë e Rifat Jasharit, vëllait të Adem e Hamëz Jashari.

Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar që të dielën vonë ka shkuar në kullën e Jasharëve.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje se çka ka biseduar me Rifat Jasharin.

“Po, kam qenë mbrëmë te baca Rifat, ku u takuam për festimet e përvjetorit të 18-të. Besuam që do të kemi mundësi të qëndrojmë pak bashkë e të rrimë, sepse s’jemi parë kaherë. Nuk kemi shpesh një mundësi të tillë dhe e kishim lënë të takoheshim. Shkuam atje dhe biseduam për zhvillime politike, për shumë çështje, mirëpo natyrisht që zgjidhja është në mesin e tri subjekteve politike”, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, askush prej partive tjera politike nuk e ka kundërshtuar një kandidaturë të mundshme për president nga familja Jashari.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është i kujdesshëm kur flet për këtë familje.

Në një intervistë për “Debat Plus”, ai ka thënë se PDK-ja do të flas nëse një emër i kësaj familje vije në Kuvend si kandidat për president.

“Nuk dëshirojë të flas pa ndodhur ngjarja. Është familje me shumë kontribute, të gjithë e dimë. Flasim me respektin më të madh, çka do që bëjnë për këtë familje nuk është ekuivalent i asaj çka kanë dha këta për vendin. Gjithmonë për familjen Jashari flas me kujdes dhe nuk flas para kohe”, ka thënë ai.

I pyetu nga autori i emisioni, nëse PDK-ja ka ndonjë preferencë brenda familjes Jashari, Hamza ka thënë se kjo parti nuk hyn në mes fëmijës.

“Nuk hyj unë në mes të familjes. Aty ka njerëz me vlera, i respektoj të gjithë, i njoh të gjithë personalisht dhe nuk lëshohem në emra të përveçëm. Nuk mund të them a do të jetë Bashkimi, Bekimi apo Murati”, ka thënë Hamza.

Shumë deputetë të PDK-së kanë deklaruar publikisht se do ta votojnë për president këdo që propozohet nga kjo familje.

Bashkim Jashari që aktualisht është komandantin FSK-së është djali i Rifat Jasharit. Djali i Rifat Jasharit është edhe Murat Jashari, i cili aktualisht është profesor universitar në fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Kurse, Bekim Jashari, ish-kryetar i Komunës së Skenderajt, është djali i heroit Hamëz Jashari.

Comments