BDI: Qëndrimi i Fillkovit për shqipen është shkelje e Kushtetutës

89

Shkup, 24 shkurt – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të fundit të ministrit të Drejtësisë, z. Fillkov, lidhur me mbajtjen e provimit të jurisprudencës, duke e cilësuar qëndrimin e tij si shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Sipas BDI-së, ministri ka pretenduar se provimi i jurisprudencës nuk do të mbahet në gjuhën shqipe, por vetëm në gjuhën maqedonase, duke e konsideruar këtë çështje si të mbyllur. “Ky qëndrim përbën një skandal të paprecedentë dhe cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues të shtetit”, thuhet në reagimin e partisë.

BDI thekson se Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve e përcaktojnë qartë se gjuha shqipe është kategori kushtetuese dhe ligjore, e cila duhet të respektohet në të gjitha procedurat dhe aktivitetet institucionale, përfshirë edhe proceset që ndërlidhen me jurisprudencën.

Çdo shmangie nga ky obligim, sipas tyre, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të normave në fuqi.

Në reagim më tej thuhet se kur një ministër anashkalon me vetëdije një të drejtë të garantuar me Kushtetutë, ai jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore, por dërgon edhe një mesazh të rrezikshëm për institucionet e tjera se ligjet mund të injorohen sipas vullnetit politik.

“Kjo krijon precedent të papranueshëm dhe inkurajon shkelje të vazhdueshme të rendit juridik”, vlerëson BDI. Partia e Ali Ahmetit kërkon përgjegjësi politike për, siç i quan, këto veprime dhe paralajmëron se do të përdorë të gjithë mekanizmat demokratikë për mbrojtjen e gjuhës shqipe si kategori të padiskutueshme kushtetuese dhe ligjore. “Respektimi i Kushtetutës nuk është çështje vullneti personal, por detyrim themelor për çdo bartës të funksionit publik”, përfundon reagimi i BDI-së.

Comments