Numrat, afatet dhe mungesa e konsensusit kanë kthyer çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës në një provë të funksionimit institucional.
Teksa partitë po i llogarisin votat, janë shfaqur paqartësi rreth asaj nëse pjesëmarrja dhe votimi në seancën për presidentin përbëjnë obligim për deputetët, apo edhe nëse moszgjedhja e presidentit nga Kuvendi çon vendin përsëri në zgjedhje të parakohshme.
Çfarë thonë Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese? Si e vlerësojnë njohësit e fushës këtë çështje?
Pjesëmarrja në seancë dhe në votim
Kryeministri Albin Kurti deklaroi të hënën, pas një takimi konsultativ për çështjen e presidentit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, se Kushtetuta i obligon deputetët të votojnë.
Ngjashëm si Kurti u deklarua edhe kryetarja e Kuvendit nga radhët e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Duke iu referuar aktgjykimit kushtetues për rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president në vitin 2011, Albulena Haxhiu tha si i njëjti “kërkon që të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë”.
Në anën tjetër, Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha të hënën se partia e tij merr pjesë në zgjedhjen e presidentit, nëse kandidati i propozuar prej saj zgjidhet president.
Aktgjykimi i rastit “Pacolli”, të cilit i referohet LVV-ja, në pikën 83 thotë se “të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar” sipas Kushtetutës dhe ligjeve që të marrin pjesë në seanca plenare, ndërsa pika 84 thotë se ata “duhet ta konsiderojnë si detyrë kushtetuese të tyre” zgjedhjen e presidentit.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë rast, gjykata ua rikujton deputetëve obligimet që kanë sa i përket funksionimit demokratik të institucioneve, por pa i detyruar si të veprojnë.
Kjo çështje ishte sqaruar në aktgjykimin tjetër të Kushtetueses, për rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president në vitin 2016, kur LVV-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kishin kërkuar që zgjedhja e tij të shpallej antikushtetuese, me arsyetimin se nuk kishin marrë pjesë 120 deputetë në votim dhe se s’ishte përmbushur kuorumi.
Pika 74 e atij dokumenti kishte dalë në përfundim se nuk është as parakusht, dhe as kërkesë kushtetuese, që të gjithë 120 deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë, për të qenë i vlefshëm vendimi i zgjedhjes së presidentit.
Sipas Miftarajt, askush nuk mund të ndikojë në vullnetin e lirë të deputetit, nëse dëshiron ta bëjë kuorumin në seancë apo jo.

