Agim Islami i dënuari i rastit “Alfa”: 18 pranvera në burg padrejtësisht

146

I dënuari në rastin “Alfa”, Agim Islami, ka reaguar publikisht përmes një mesazhi ku shpreh zhgënjimin për zvarritjen e procesit dhe mungesën e rezultateve konkrete ndër vite.

Në mesazhin e tij, Islami thekson se kanë kaluar tashmë 18 pranvera dhe vera në burg, duke e cilësuar dënimin si të padrejtë dhe duke shprehur shpresën se drejtësia do të vihet në vend një ditë. Ai apelon gjithashtu ndaj përfaqësuesve shqiptarë që të mos lejojnë që edhe kjo verë të kalojë pa progres në zbardhjen e plotë të rastit, njofton TS.

“Pranvera sjell shpresë dhe kënaqësi. Shpresoj që përfaqësuesit tanë shqiptarë nuk do të lejojnë që edhe kjo verë të kalojë pa asnjë rezultat për çështjen e Rastit Alfa. Është pranvera e 18-të në burg, me besimin se drejtësia do të triumfojë,” thuhet në reagimin e tij.

Rasti “Alfa”, që daton nga viti 2008, vazhdon të mbetet një nga çështjet më të diskutuara në opinionin publik, me kërkesa të vazhdueshme për rishqyrtim dhe transparencë më të madhe institucionale.

Hashtagu #LiriPërRastinAlfa është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes në rrjetet sociale, duke reflektuar mbështetjen dhe kërkesën për drejtësi nga një pjesë e opinionit publik.

Comments