Këshilla si të parandalosh diabetin

635

Diabeti
Diabeti është çrregullimi i metabolizmit që reflektohet në paraqitjen e sasisë jonormale të glukozës në gjak, si pasojë e rezistencës së qelizave të gjakut ndaj insulinës, apo si pasojë e sasisë së vogël të insulinës së sekretuar nga pankreasi. Janë dy gjendje që mund të shkaktohen nga diabeti i sheqerit, hiperglicemia (niveli i lartë i glukozës) dhe hipoglicemia (niveli, i ultë i glukozës). Terapia e ilaçeve mund të parandalojë përparimin e mëtejshëm të diabetit tek miliona njerëz, të cilët kanë një stad të lart të rrezikshmërisë të sëmundjes, shumë studime sugjerojnë mënyrat e duhura për ta. Gati 5 për qind e popullsisë së botës është e sëmurë me diabet, dhe gati 7 për qind janë paradiabetikë. Kjo lloj sëmundje zhvillohet zakonisht në moshë madhore dhe tek pacientët, të cilët kanë nivel të lartë të sheqerit në gjak, sepse qelizat e tyre janë bërë rezistente ndaj insulinës, hormoni që stabilizon ngritjen e sheqerit në gjak.
Simptomat:
– Pacienti ha shumë.
– Pi shumë ujë.
– Urinon shpesh.
– Humbet peshë.
– Mund të ketë kriza të ketocidozës diabetike.

Si mund të parandalohet çrregullimi i zemrës tek personat me diabet?

* Mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut është të kujdeseni mirë për veten dhe diabetin tuaj. Mbani glukozën në gjak në nivel sa më normal që mundeni.
* Kontrolloni shtypjen e gjakut, nëse është e nevojshme merrni edhe barna. Njerëzit me diabet duhet të kenë shtypjen nën 130/80.
* Mbani kolesterolin nën kontroll. Ndoshta do të keni nevojë për barna për ta bërë këtë.
* Humbisni peshën nëse jeni të mbipeshë.
* Pyeteni mjekun tuaj nëse duhet të merrni aspirinë ditor.
* Merruni me ushtrime fizike rregullisht.
* Hani ushqim të shëndetshëm për zemrën, të pakët me yndyra dhe kripë.
* Lëreni duhanin.

Ja disa këshilla kundër diabetit:
– Ecni sa më shumë, për shembull duke shkuar më këmbë në shkollë.
– Hani në mënyrë të shëndetshme e duke pirë sa më pak lëngje frutash të konservuara, pasi ato kanë shumë sheqer.
– Qëndroni sa më pak ulur para televizorit, kompjuterit apo video-lojërave.
– Bëni aktivitet të rregullt fizik dhe duke fjetur sa më shumë.
– Hani medoemos mëngjes.

Kuroni diabetin me zarzavate të gjelbra
Është vërtetuar se zarzavatet e gjelbra, veçanërisht të gjalla, për të gjithë ata që vuajnë nga diabeti duhet t’i përdorin çdo ditë, në drekë dhe darkë, në sasi të bollshme. Zarzavatet e gjelbra përmbajnë antioksidantë, vitamina, kripëra minerale dhe fibra. Të gjitha perimet përmbajnë vitaminë C në përqindje të ndryshme, sipas llojit të bimëve. Njëzetë e katër orë pas këputjes, ato humbin 10-15% të vitaminës C. Gjatë gatimit humbin jo vetëm gjithë vitaminën C, por dhe shumicën e mineraleve. Por uji në të cilin ato janë zier përmban mikromineralet e dobishme, si kaliumi, magnezi dhe zinku, prandaj dhe mund të përdoret për të gatuar supë. Nisur nga veçoritë e mësipërme, zarzavatet e gjelbra janë shumë të dobishme për diabetikët.

Merrni sasinë e nevojshme të vitaminës C
Dozat e larta të vitaminës C në organizëm zvogëlojnë për gati 50% rrezikun nga sulmi në kokë. Pikërisht për këtë rekomandohet që të ushqehemi me pesë deri në nëntë lugë lëng perimesh në ditë. Me sasinë e vitaminës C në trup mund të parandalohet mundësia e sulmit në tru, kjo është bërë e ditur pas një hulumtimi të gjerë të kryer me rreth 20.000 persona të moshës së mesme dhe të vjetër, të kryer në Norfolk të Britanisë së Madhe. Efektet mbrojtëse të vitaminës C kundër sulmit në tru janë të vërtetueshme duke marrë parasysh faktorët të tillë si mosha, gjinia, pirja e duhanit, alkooli, indeksi i masës trupore, shtypja, kolesteroli, aktiviteti fizik, diabeti, sulmet e menjëhershme në zemër, marrja e ilaçeve dhe statusi shoqëror.

Mungesa e kromit shkakton diabet
Kromi u identifikua si një nga mineralet në trupin e njeriut vetëm 30 vjet më parë. Studimet për të vazhdojnë akoma. Kromi është pjesë e një përbërje që bën të mundur insulinën të punojë. Është gjithashtu i rëndësishëm në metabolizëm dhe strukturën gjenetike. Për shkak të njohurive jo të mjaftueshme për këtë kripë minerale është e vështirë të dallohen shenja të veçanta, në mungesë të tij. Megjithatë dihet se mund të shkaktojë rritje të kolesterolit në gjak. Në studimet e bëra tek kafshët, mungesa e kromit shkakton një sëmundje, që është shumë e ngjashme me diabetin. Gjendet kryesisht tek mishi, drithërat, fasulet e thata, thjerrëzat, lajthia, peshku dhe prodhime të tjera nga deti.

Konsumoni kripën sa më pak të jetë u mundur
Përdoreni atë sa më pak të jetë e mundur. Mos harroni se çdo produkt i krijuar nga natyra nuk është i kripur në shijen e tij, ai është zakonisht i ëmbël ose i athët. Po ashtu kripa gjendet te uji i detit i cili nuk rekomandohet të pihet veç rasteve kur personi është i etur dhe nuk ka si të veprojë ndryshe. Shtoni lakrat në dietën tuaj ditore. Konsumoni gjethet jeshile të spinaqit, sallatës për sëmundjet e zemrës dhe diabetit. Thjerrëzat po ashtu janë të pasura me lëndë ushqyese si dhe përbërës tonike të domosdoshme për organizmin.

Hiqni dorë nga pijet me ngjyrë
Shkencëtarët në Boston, kanë zbuluar se, duke pirë rregullisht pije freskuese të ngjyrosura çdo ditë, ju dyfishoni rrezikun e sindromës së metabolizmit, sindromë e cila, përfshin një sërë shqetësimesh, siç janë: tensioni i lartë, vlera të larta të insulinës, shtimi në peshë, që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit. Shkaktari i tyre mund të jetë substanca ngjyruese e këtyre pijeve, e cila ka rritur rrezikun e kësaj sindrome në eksperimentet që janë bërë tek kafshët. “Shkencëtarët, gjithashtu, mendojnë se, ata që pinë të tilla pije, janë të prirur të zgjedhin gjithmonë ushqime të ëmbla, të cilat çojnë drejt shtimit në peshë”, – thotë Vasan S. Ramachandran-i, M.D.,profesor mjekësie në Universitetin e Bostonit, në të cilin ka qenë udhëheqësi i studimit.

Manual i ri me këshilla për diabetikët
Shoqata amerikane e diabetit publikoi një manual të ri me këshilla dietetike për 16 milionë personat që vuajnë nga sëmundja e sheqerit në shtetet e bashkuara. Për herë të parë, Kjo shoqatë po rekomandon ushtrimet fizike si një mënyrë për mbajtjen e diabetit nën kontroll. Ndërsa këshillat synojnë përmirësimin trajtimin dhe të parandalimin e diabetit, Ato përqendrohen veçanërisht në ndryshimin e jetës së pacientëve. Zbatimi i këshillave do të ndikojë ndaj krejt mënyrës së jetesës. Për herë të parë, shoqata rekomandon ushtrime për të 16 milionë amerikanët që vuajnë nga diabeti. Ushtrimet pakësojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe parandalojnë diabetin tek të rriturit e rrezikuar. Shoqata thotë gjithashtu se diabetikët nuk kanë nevojë të shmangin ëmbëlsirat, Si tortat apo akulloret, Për sa kohë që tregohen të përmbajtur në ngrënie dhe ekuilibrimin e tyre me sasinë e duhur të insulinës. Shumë specialistë diabeti i këshillojnë tashmë pacientët e tyre se mund të hanë ushqime me sheqer, Në qoftë se marrin masa për kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak. Në manual theksohet se nuk ka ndonjë dietë apo mënyrë jetese që mund funksionojë për të gjithë diabetikët. Por një dietë e planifikuar si kjo që përdor ky njeri, duhet të përshtatet për secilin me ndihmën e mjekut. Pra, të mbajë nën kontroll gjendjen e tij duke kontrolluar çfarë ha.

Çaji i manaferrës për diabetikët
Frutat e manaferrës përmbajnë sheqerna, vitaminë C, karotinë, vitaminë E, acide organike, pektinë etj. Po ashtu, edhe gjethet e saj janë të pasura me vitaminë C, acide organike, lëndë tonike dhe aromatike. Në fara ndodhet vaji yndyror në masën deri 12%. Të gjitha pjesët e bimës kanë veti mjekësore shumë të mirë. Qysh në lashtësi janë përdorur nga njeriu pjesët e bimës, si gjethet e majat, për të bërë çajra kundër sëmundjeve të aparatit tretës. Për diabetin merren dy duar me gjethe e maja manaferre, pastrohen, shtypen dhe vihen të zihen në një litër ujë. Nga lëngu i kulluar, i sëmuri merr tri herë në ditë nga një filxhan para buke. Përfundime të mira japin edhe frutat e manaferrës, të cilat mund të konsumohen të freskëta, si dhe në formë çaji me verë: Merren 150-200 gramë fruta manaferre, zihen në një gotë të mbushur me verë. Nga lëngu i prodhuar merren çdo ditë 1-2 gota të vogla, në gjendje të ngrohtë. Frutat e manaferrës shuajnë etjen, përdoren nga të sëmurët me diarre kronike, me dhimbje në kyçe, me infeksione në veshka e në fshikëzën e urinës, me kollë etj.

Kujdesi për pacientët me diabet të tipit 2
Shumë mjekë u rekomandojnë pacientëve me diabet të tipit 2 që ta masin vetë nivelin e sheqerit në gjak. Por studimet e fundit tregojnë se një gjë e tillë mund t’i sjellë pacientit më shumë dëme sesa të dobi. Tashmë është bërë e zakonshme që njerëzit me diabet të tipit 1, ta masin vetë nivelin e sheqerit në gjak dhe të marrin vetë insulinë sipas nevojës, por shumë pacientë vuajnë nga Diabet i tipit 2 që zhvillohet më vonë në jetë. Shërbimet e shëndetit shpenzojnë miliona dollarë për t’i mësuar diabetikët se si të kujdesen për veten. Por gjatë një studimi, mjekët vëzhguan 184 pacientë të diagnostikuar me Diabet të tipit 2.

Meshkujt më të prekur nga diabeti
Kohët e fundit specialistët e shëndetësisë kanë arritur në përfundimin se meshkujt janë më të predispozuar për t’u prekur nga sëmundja e sheqerit. Gjithashtu përkrahësit e punës kërkimore në fushën e qelizave zanafillëse thonë se klonimi mund të çojë në kura shumë të efektshme për sëmundje si diabeti. Sipas specialistëve mosha ndikon shumë në shfaqjen e diabetit. Diabeti tip 1 zë rreth 10 % të të sëmurëve me diabet, ndërsa diabeti tip 2 zë një përqindje më të vogël se i pari dhe është më i shpeshtë se ai. Diabetikët me diabet tip 2 si rregull kanë ndërlikime kronike. Sipas të dhënave të OBSH, në botë në vitin 2025 do jenë rreth 300 milionë diabetikë, ndërkohë që numërohen rreth 170-180 milionë diabëtike. Aktualisht në vendin tonë numri i diabetikëve është gjithmonë në rritje dhe nga 0.7 dhe 0.8 për qind që ka qenë në shekullin e kaluar, ka arritur rreth 2-3 për qind dhe kjo shifër do jetë gjithmonë në rritje.

Kuroni diabetin, duke rregulluar gjumin
Të kurosh diabetin, duke zgjidhur problemet që mund të keni me gjumin. Kjo është këshilla më e fundit që japin shkencëtarët, pas një sërë ekzaminimesh dhe analizash pa fund që bëjnë një lidhje mes sëmundjes dhe gjumit jo të mirë që bëhet gjatë natës.
Zbulimi, bërë në një studio të madhe të ADN-së, mori në shqyrtim më shumë se 36 mijë evropianë, diabetikë ose jo diabetikë, të të gjitha moshave. Ekspertët zbuluan një lloj mutacioni në gjenin “MTNR1B” që për shkencëtarët u etiketua si “hormoni i gjumit”. Melatonina është një rregullues i rëndësishëm i ritmit gjumë/zgjim, dhe prodhohet gjatë natës, duke arritur një lloj kulmi gjatë kësaj kohe, ndërkohë që gjatë mëngjesit nis e pakësohet. Përkundër kësaj, insulina hormoni që rregullon sheqerin në gjak prodhohet gjatë ditës, ndërkohë që gjatë natës prania e saj vjen duke u zvogëluar. Prej kohësh dihej se të flije pak bën keq për shëndetin dhe kjo ishte e lidhur më rrezikun e diabetit, por nuk diheshin deri më tani arsyet. Studimi, i drejtuar nga Philippe Froguel arriti të bënte lidhjen mes dy problemeve.

Lidhjet e diabetit me depresionin
Një studim i ri vendos lidhjen midis diabetit dhe depresionit. Studimi i kryer nga shkencëtarët pranë universitetit Xhons Hopkins në Meriland, thotë se njerëzit që vuajnë nga depresioni kanë më shumë gjasa të preken nga diabeti dhe anasjelltas. Shkencëtarët pranë shkollës mjekësore të universitetit Xhons Hopkins në Baltimore thonë se disa pacientë mund të kenë nevojë të trajtohen njëkohësisht për diabet e depresion. Kjo për arsye se gjatë studimit ata gjetën një lidhje midis këtyre dy sëmundjeve. Mjekja Sherita Golden dhe një grup shkencëtarësh vëzhguan 5 mijë pacientë për një periudhë 3-vjeçare. Ata vunë re se pacientët që nuk flinin mirë ose nuk kishin oreks, të gjitha këto simptoma të depresionit, ishin më në rrezik të prekeshin nga diabeti sesa të tjerët pa këto simptoma. Mjekja Golden thotë se depresioni duket se i parandalon njerëzit për t’u kujdesur për shëndetin e tyre. Këto qëndrime shtojnë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2. Gjatë studimit, shkencëtarët gjithashtu vunë re se personat me diabet të tipit 2 ishin më shumë në rrezik të prekeshin nga depresioni sesa ata që nuk vuanin nga diabeti. Mjekja Golden thotë se personat që trajtohen për diabet janë më në rrezik të preken nga depresioni dhe kur preken, kjo gjendje ndikon në aftësitë e tyre për të luftuar diabetin.

Ushqimet që përdoren për të luftuar diabetin
Nuk dihet ende se cili është numri i saktë i të sëmurëve me diabet, por personat që ankohen për shqetësimet që të sjell kjo sëmundje shtohen çdo ditë e më shumë. Ndërkohë që nuk ka ende një kurë të për diabetin, doktorët shprehen se mbajtja e një diete të rregullt, respektimi i saj në çdo detaj, është mënyra më e mirë për të mbajtur nën kontroll gjendjen. “Marrja parasysh e lëndëve të përbëra natyrale, është një alternativë që mund të evitojë deri diku rekomandimin e ilaçeve”, thotë Richard A. Andreson, drejtor i shkencës në departamentin e Agrokulurës në Beltseville. “Mesazhi që po përpiqemi të dërgojmë, është se nuk duhet të mbështetemi vetëm në ilaçet që mund të ngadalësojnë apo parandalojnë diabetin, duhet në mënyrën më maksimale që të përpiqemi të ndryshojmë zakonet e të ngrënit”, shton ai.

Çfarë duhet të konsumoni?
1. Çaj. Kimikatet e njohura si “fonifenol” të gjetura në jeshilen, të zezën, ngrenë aktivitetin e insulinës.
2. Kanellë. Më pak se gjysmë luge çaji në ditë rrit metabolizmin e sheqerit në qelizat e shëndetshme.
3. Hejdë. E përdorur tradicionalisht, hejda përmban përbërës kimikë që ulin nivelin e sheqerit në gjak.
4. Qershitë. Qershitë përmbajnë kimikate të quajtura “antokine” që rrisin prodhimin e insulinës.
5. Gujava. Ekstraktet e mollës së gujavës ulin nivelin e sheqerit në gjak.
6. Kakao. Ul rezistencën e insulinës.

Karbohidratet dhe diabeti
Karbohidratet janë një nga tri mikroushqyeset e gjetura në ushqim, dy të tjerat janë yndyrnat dhe proteinat. Karbohidratet mund të jenë të thjeshta dhe të komplikuara. Karbohidratet e thjeshta, ose sheqernat, kanë emra të ndryshme si fruktoza, laktoza dhe surkoza. Karbohidratet e thjeshta gjendjen në qumësht, fruta dhe, sigurisht, në sheqer. Karbohidratet e ndërlikuara janë niseshteja, të cilat janë të përbëra nga shumë përbërje glukozash të përziera, ku mund të përmenden buka, ëmbëlsirat, makaronat. Saktësisht rritja e sheqerit në gjak është në përpjesëtim të drejtë me konsumimin e karbohidrateve. Disa drithëra dhe fruta përmbajnë fibra, të cilat në këtë rast janë një element shumë i rëndësishëm, sepse sa më shumë prezent të jenë fibrat, aq më pak e mundur është që ushqimi të prekë nivelin e sheqerit në gjakun tuaj. Disa drithëra të tjera janë lehtësisht të shndërruara në trupin tuaj në sheqer.

Ilaçet
1-Tiazolidinedionet – veprimi është i menjëhershëm, por në disa raste mendohet se ulin rezistencën periferike ndaj insulinës.
2-Glinidet – ky lloj bari shkakton sekretim të shpejtë të insulinës. Merren para buke dhe ndihmojnë në kontrollin e glukozës postprandiale (pas ngrënies).
3-Akarboza – është frenues i alfa-glukozidazës intestinale që ngadalëson ritmin e përthithjes të glukozës në gjak.

Diabeti, ndërlikon edhe organet e tjera
Përveç çrregullimit të sheqernave, në diabet çrregullohen yndyrnat, kripërat dhe çrregullohet metabolizmi i lëndëve. Kjo sëmundje jep ndërlikime akute të menjëhershme dhe ndërlikime kronike që zgjasin gjithë jetën. Në mënyrë të përgjithshme ndërlikimet vijnë si pasojë e uljes apo e ngritjes së sheqerit në gjak, dhe kur këto janë respektivisht të menjëhershme, të sëmurët bien në gjendje kome ose në gjumë të thellë. Por sëmundja e diabetit ndikon gjithashtu dhe prek arteriet e zemrës, nga ku mund të shfaqen edhe infarkte, të cilat janë sëmundje tepër të rrezikshme ose kur dëmtohen arteriet e këmbës, shfaqet gangrena e këmbës, kur dëmtohen arteriet e syrit, shfaqet një ndërlikim nga i cili sëmuren të dy sytë edhe i sëmuri mund të humbasë edhe shikimin, kur dëmtohen arteriet e veshkës, shfaqet një dëmtim që në popull njihet me termin azotemia.

Diabeti rrezik për sëmundje të tjera
Ndërlikimet që krijohen nga dëmtimet e kapilarëve të gjakut dhe arterieve të vogla. Janë më karakteristike e më tipiket për diabetin. Ato shfaqen zakonisht 3-10 vjet pas fillimit të tij, por vetëm në ato raste kur mjekimi nuk është bërë në mënyrë të kujdesshme e të vazhdueshme. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet të jetë i sëmuri me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta, më të përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime. Preket e dëmtohet sidomos i tërë rrjeti kapilar, i cili është i përhapur në të gjitha pjesët sado të vogla të organizmit, në të gjitha organet, duke shkaktuar çrregullime në funksionin e tyre.

Ndërlikimet në sy, probleme të shikimit
Së pari, këto dëmtime shfaqen e vërehen në kapilarët brenda syrit, pikërisht në atë shtresë të tij që quhet retinë. Kjo është një cipë shumë e hollë në fund të syrit që luan rolin vendimtar për shikimin e fotografimin e objekteve. Kapilarët e retinës, nën ndikimin e hiperglicemisë kronike shumëvjeçarë, deformohen, mbyllen, çahen, lëshojnë brenda në sy lëngje dhe hemorragji, të cilat cenojnë retinën e dëmtojnë pamjen, deri në verbim të plotë. Ky ndërlikim quhet retinopatia diabetike dhe është ndër ndërlikimet më të hershme e më të shpeshta të tij. Fatmirësisht ai nuk zhvillohet për një ditë dhe as për një vit. Duhen vite të tëra që retina të arrijë të prishet e të humbasë pamjen. Zbulimi i dëmtimeve fillestarë që quhen mikroaneurizma arrihet me një kontroll fare të thjeshtë të fundit të syrit nga mjeku okulist. Është koha që gjithçka mund të ndreqet. I vetmi “ilaç” për të mjekuar retinopatinë sidomos në fazat e fillimit, është mjekimi korrekt e shembullor i diabetit, normalizimi me fanatizëm i glikemisë. Po nuk u bë kjo, sytë janë në “dorë të fatit”. Përveç mjekimit të mirë të diabetit, ata duhet të kenë kujdes të mos përdorin asnjë ilaç të rekomanduar për arsye të tjera pa u konsultuar me mjekun diabetolog. Të sëmurët që kanë shenja hemorragjie në retinë duhet, përveç diabetit, të kontrollojnë vazhdimisht tensionin arterial, ta mbajnë atë gjithmonë në shifra normale e po që i lartë të përdorin patjetër mjekim të vazhdueshëm për ta ulur e normalizuar. Duhet pasur parasysh që përveç dëmtimeve të kapilarëve retinalë diabeti mund të krijojë në sy dhe ndërlikime të tjera, si infeksione, rritje të presionit brenda syrit (glaukoma) dhe sidomos zhvillimin që në moshë të re të perdes (kataraktit). Veç këtyre tek të sëmurët me diabet mund të ndodhin turbullime dhe deri humbje të papritura të pamjes.

Ndërlikimet në veshka
Në veshka behët filtrimi i vazhdueshëm i gjakut. Me anë të këtij filtrimi organizmi eliminon e flak jashtë në urinë, tërë helmet, mbeturinat e “skorjet” që nxjerrin “makineritë” qelizore gjatë punës së tyre. Diabeti si pasojë e hiperglicemisë të vazhdueshme për një kohë të gjatë dhjetëra vjeçare mund të dëmtohen kapilarët e hollë të glomerulave dhe kështu pengohet filtrimi dhe funksionimi i veshkës në tërësi. Ky ndërlikim quhet nefropatia diabetike. Nefropatia, sidomos në fazat e përparuara të saj, kur thuajse bllokohet filtrimi është një ndër ndërlikimet më të rënda e tragjike të diabetit. Për fat të keq me gjithë progresin në mjekimin e diabetit ky komplikacion dramatik vazhdon të mbetet mjaft i shpeshtë. Vetë fillimi i retinopatisë është sinjal i parë alarmi që dëshmon se procesi i dëmtimit të kapilarëve tashmë ka filluar dhe asgjë s’garanton që ai nuk do të prekë e shtrihet edhe në kapilarët e veshkave. Në këtë fazë të parë të hershme avancimi mund të parandalohet me efikasitet thjesht me mjekimin e saktë të diabetit. Dëmtimi që zhvillohet në ta nuk “dhëmb”. Prandaj jo rrallë procesi përparon derisa shfaqet një sinjal i dytë. Ky sinjal vjen tashmë nga veshkat e dëmtuara, ku në urinë shfaqet mikroalbumina.

Ndërlikimet nervore
Në dëmtimet e rrjetit kapilar me rëndësi të veçantë janë dhe neuropatitë e diabetit që përfaqësojnë dëmtim e vuajtje të nervave nga kjo sëmundje. Prekja e sistemit nervor mund të jetë shumë më e gjerë, njëhershmi në nervat periferikë, ashtu dhe në nervat e organeve të brendshme. E para, shfaqet në formë dhimbje, mpirje, djegie në formë neuriti. Ulët ndjeshmëria ndaj të ftohtit, të nxehtit e dëmtohen reflekset. Një nga shenjat karakteristike është djegia e shputave të këmbës, sidomos në orët e natës. Në faza më të avancuara nervat dëmtohen aq shumë sa bëhen të padijshëm, nuk përcjellin dot as dhimbjen as të nxehtin, të ftohtin apo prekjen. Kjo krijon një ndërlikim me rrezik të jashtëzakonshëm për dëmtimin dhe shfaqjen e gangrenës në këmbë, që njihet me emrin këmba diabetike. Dëmtimi i nervave ndodh jo vetëm tek ato të ekstremiteteve, por edhe nervave të organeve të brendshme. Ato mund t’u shkaktojnë uljen e papritur të tensionit arterial, me ndjenjë të fikti në çastin kur ngrihen nga shtrati në këmbë. Mund të shfaqen çrregullime të urinimit, çrregullime të stomakut me anoreksi dhe vjellje e sidomos diarre, daljet e shpeshta jashtë, të cilat përsëriten shumë herë gjatë ditës, por karakteristikë është që ato theksohen e bëhen më tepër shqetësuese e gati torturuese gjatë orëve të natës.

Ndërlikimet arteriale të zemrës dhe trurit
Arterioskleroza është një proces që krijohet nga ndikimi i përbashkët dhe nga pleksja e një sërë faktorësh favorizues, si dhjamosja e tepërt, tensioni i lartë i gjakut, yndyrat e tepërta në gjak, nikotina e duhanit, emocionet e ankthi i vazhdueshëm, puna ndenjur, jeta pa lëvizje fizike, trashëgimia, etj. Diabeti dhe arterioskleroza janë dy sëmundje njësoj tinëzakë dhe të rrezikshme, sepse për një kohë të gjatë të dyja rrinë të fshehura e të heshtura. Në diabet rritet sheqeri në gjak, ai dëmton për vite me radhë kapilarët e gjakut, por as ndihet e as dhëmb.

Ndërlikimet infeksioze të diabetit
Diabeti mund të fshihet pas infeksioneve të përsëritura të tilla si infeksione të tjera qelbësuese të lëkurës, infeksione urinare, tuberkuloz, infeksione në organet gjenitale, mukoza, infeksione të mishrave të dhëmbëvë, të bajameve, sinusit e sëmundje të gojës në përgjithësi, infeksione të mushkërive, bronkeve, rrugëve të tëmthit, të thonjve të këmbëve, etj. Diabetikët janë më “delikatë”, ftohen më lehtë, u ngjitet shpejt rrufa, infeksionet e ndryshme virusale dhe gjithë sëmundjet infektive në përgjithësi. Nga ana tjetër, të sëmurët që e dinë se vuajnë nga diabeti, duhet të kenë kujdes të veçantë që të mbrohen nga infeksionet, sepse këto çrregullojnë rëndë diabetin. Mbrojtja arrihet thjesht me anë të tre masave paraprake. Së pari: respektimi i rregullave të higjienës së trupit, ruajtja nga lagështia, të ftohtit, korrentet e erës, etj. Së dyti: vaksinimi i rregullt kundër të gjitha sëmundjeve infektive duke përfshirë edhe gripin. Së treti: mjekimi i rregullt e i përpiktë i diabetit, ruajtja e ekuilibrit të vazhdueshëm të tij. Lufta më e mirë ndaj infeksioneve është parandalimi i tyre.

Ushqime që mund të përdoren pa kufizim
Zarzavate:
Domate, Kastravecë
Karota
Sallatë jeshilë
Lulelakër
Speca
Panxhar i kuq
Qepë
Rrepë, lakër e bardhë

Lëngjet:
Ujë mineral
Ujë i gazuar
Lëngje zarzavatesh
Kafe ose çaj pa sheqer

Comments