Bëhet gati për favorizimin e VV-së: Haxhiu paralajmëron se do t`i jep përparësi Rregullores së Kuvendit ndaj Kushtetutës për përbërjen e KQZ-së

73

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të emërojë anëtarin e dhjetë të KQZ-së, të cilin po e pretendojnë PDK-ja dhe VV-ja.

Në deklarimin e saj të fundit, Haxhiu ka lënë të nënkuptohet se po bëhet gati për të favorizuar partinë e saj.

Gjatë një interviste për emisionin “Konfront” të KTV-së, Haxhiu ka paralajmëruar se për këtë çështje do t`i jep përparësi Rregullores së Kuvendit dhe do të injorojë Kushtetutën e Kosovës.

Pavarësisht se paragrafi 4 i nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës është i qartë, Haxhiu ka lënë të kuptohet se në emërimin e anëtarit të fundit të KQZ-së po shërbehet me të dhëna dhe situata që s’kanë të bëjnë asgjë me përbërjen e KQZ-së.

Ndonëse Kushtetuta është dokumenti më i rëndësishëm në Republikën e Kosovës, Haxhiu ka lënë të kuptohet se për të ka më shumë rëndësi Rregullorja e Punës e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë mënyrë ajo ka qartësuar se për këtë temë do të marrë për bazë Rregullores e Punës së Kuvendit, e cila nuk flet askund për KQZ-së.

Duke folur për këtë çështje, ushtruesja e detyrës së presidentes vazhdimisht ka folur për “fuqinë politike” si shumë të rëndësishme në procesin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së.

Ky është edhe pretendimi i Lëvizjes Vetëvendosje, sipas së cilës, meqenëse në zgjedhjet e 28 dhjetorit ky subjekt ka fituar gjysmën e votave, i takon edhe gjysma e ulëseve shqiptare në KQZ.

“Unë mendoj që parimi i proporcionalitetit, pra përfaqësimi dhe fuqia politike janë shumë të rëndësishme në një proces. Përshembull, në Kuvendin e Kosovës ne kemi komisione parlamentare. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes i ka 5 anëtarë në komisionet parlamentare, PDK i ka dy, ndërsa të tjerët i kanë nga 1 anëtar. Ky është proporcionaliteti, përfaqësimi dhe fuqia politike, që del nga rezultati i zgjedhjeve, në këtë rast nga 28 dhjetori i vitit të kaluar”, ka thënë Haxhiu.

Rregullorja e Kuvendit për përbërjen e komisioneve parlamentare
Shembulli të cilit i referohet Haxhiu është neni 31 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ky nen flet vetëm për përbërjen e komisionit parlamentar, që sipas paragrafit 3, “reflekton fuqinë politike të grupeve parlamentare”.

Siç shihet ky nen dhe as Rregullorja e Kuvendit nuk flet askund për përbërjen e KQZ-së, por fushëveprimi i saj është vetëm organizimi e funksionimi i Kuvendit të Kosovës dhe administratës së tij.

Kushtetuta e Kosovës për përbërjen e KQZ-së
Kushtetuta e Kosovës ka shpjeguar në mënyrë të qartë se si duhet të bëhet emërimi i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, 6 ulëse në KQZ, u takojnë 6 grupeve më të mëdha parlamentare, respektivisht subjekteve politike shqiptare, e 4 të tjera për komunitetet.

“Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara”, thuhet në paragrafin 6 të nenit 139.

Aktualisht, sipas rezultateve të 28 dhjetorit, në Kuvendin e Kosovës kanë arritur të hyjnë 4 subjekte politike shqiptare (LVV, PDK, LDK dhe AAK), prandaj, ndarja e 6 ulëseve duhet të bëhet për këto subjekte politike.

Por, në këtë situatë, kur numri i grupeve parlamentare nga radhët e subjekteve shqiptare është më i vogël, Kushtetuta ka dhënë zgjidhje, duke ia mundësuar grupit apo grupeve më të mëdha të emërojnë anëtarë shtesë.

“Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, thuhet në vazhdim të paragrafit të njëjtë.

Në këtë rrethanë, kur sipas rezultateve të 28 dhjetorit janë vetëm 4 grupe parlamentare, 4 ulëset e para duhet të ndahen për secilën prej tyre, ndërkaq për 2 vendet e mbetura zbatohet “emërimi i anëtarëve shtesë” për grupet më të mëdha, në këtë rast për LVV-në dhe PDK-në.

Comments