Ky është moment kur para 54 vitesh qytetarët e Shkupit përjetuan tërmetin më të fuqishëm me intensitet prej 6.1 sipas Rihterit, në orën 5:17 të një mëngjesi veror, kur pjesa dërmuese e qytetarëve të Shkupit po flinin, disa nga ta për mos t’u zgjuar kurrë.
Në këtë kohë, qyteti u përfshi nga tërmeti, ndërsa pluhuri mbuloi gjithë sipërfaqen ku shtrihet kryeqyteti i Maqedonisë.
1070 njerëz humbën jetën, ndërsa mbi 3000 të tjerë u plagosën. Fuqia e tërmetit la mbi 200 mijë banorë pa kulm mbi kokë, ndërsa shkatërroi një pjesë të madhe në qytetin e lashtë të jugut ballkanik. Kjo fatkeqësi ishte ndër më të rëndat që ka përjetuar kryeqyteti i Maqedonisë.
Me ndërhyrjen e shteteve të tjera të Jugosllavisë së asaj kohe, si dhe ndërkombëtarëve, qyteti u rindërtua shpejt, por gjurmët e vitit 1963 mbetën në kujtesën përgjithmonë, sepse një pjesë e madhe e trashëgimisë u tret “si kripa në ujë”.
Në Stacionin Hekurudhor të Shkupit është një orë e cila është ndalur në orën 5:17 të mëngjesit, e cila ruhet edhe sot. Shkupi gjatë këtyre dekadave të fundit është ngritur në një qyet modern.
Sot, pas 54 vitesh, Shkupi ka ndërruar tërësisht pamjen e vet si qytet. Maqedonia kohëve të fundit nuk është e qetë nga dridhjet e tokës, ku vitin e kaluar qyteti i Shkupit kishte tërmet me intensitet prej 5.3 shkallëve sipas Rihterit, që ndodhi pasditen e 11 shtatorit të vitit të kaluar.
Këtë vit edhe banorët e Ohrit nuk mund të flenë të qetë nga dridhjet e shpeshta të tokës.