Merita dhe Raif: Si u njohëm dhe rrugëtimi ynë drejt suksesit në SHBA

382
fresco

Fati e deshi që këngëtarja e madhe e muzikës popullore të festonte bashkë me ndjekësit e saj ditëlindjen në gjatë koncertit në sheshin Skënderbej
Nga Brunilda Corovelli

Ikonë, perlë apo mbretëreshë e Këngës Popullore dhe instrumentisti më i mirë janë disa nga cilësimet që koha ia ka dhënë atyre. Të vështirë nuk e kanë pasur aspak, por dëshira për kontribuar në muzikë bëri që ata të mos ndaleshin, madje ta shtrinin aktivitetin e tyre përtej kufijve, përtej oqeanit. Çifti simpatik, Merita Halili dhe Riaf Hyseni, vjen me një rrëfim interesant për suplementin e gazetës “Shekulli” për rrugëtimin e tyre të gjatë qysh nga fillimi i marrjes me muzikë e deri më sot.

Vera e këtij viti ju gjeti në Shqipëri dhe Kosovë, si po shkojnë ditët? Si po ndiheni?

Merita: Ne kemi ardhur që në 6 korrik dhe sapo erdhëm ishim me aktivitet, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë. Morëm pjesë tek aktiviteti në shesh, i cili ishte plot, pasi ishin 3 netët e festave. Unë mbas kaq vitesh i rikthehem Orkestrës Simfonike, atij grupi, miqve, kolegëve të mi. Kur hyra në sallë për të bërë prova u emocionuam të gjithë, duke lëshuar lot gëzimi. Ishte një mbrëmje dy herë e veçantë për mua, sepse atë natë unë kisha edhe ditëlindjen dhe ma festoi gjithë sheshi. Për mua ishte rikthim dhe ishte një mikpritje e jashtëzakonshme në vendin tim dhe do ta quaja verën më të bukur të jetës sime këto ditë.

Ndodh për herë të parë për ju që ta festoni ditëlindjen në skenë?

Merita: Për mua ishte një emocion i madh, lotët nuk përmbaheshin kur të gjithë të këndonin “shumë urime për ty”. Por gjëja më e bukur ishte kur të gjithë spektatorët këndonin me mua të gjithë këngët, të gjitha i dinin fjalë për fjalë. Këndonin me mua “Lule të bukura ka Tirona”, “Mu aty ke shtatë zymbylat”, i gjithë populli këndonte bashkë me mua e nuk kishte harruar asnjë fjalë. Kuptohet që këndova airet e Shqipërisë së mesme, siç janë në formën e ngritur të aries, klasike, si mund të them ishte kënga “Këndo moj qyqe se po vjen behari”, këngë të cilën unë e kam kënduar që 16 vjeç. Ndalur tek organizmi në shesh dua të falënderoj Zana Çelën.

Raif: Unë jam ndjerë shumë i kënaqur, sidomos që Merita qëlloi në Tiranë dhe festoi ditëlindjen e saj në prani të mijëra vetave së bashku me Ansamblin. Ishte kënaqësi me festuar ditëlindjen në shesh të Tiranës mes mijëra vetash, me ansamblin e shtetit. Kjo është një kënaqësi shumë specifike dhe e veçantë. Kuptohet kënaqësia tjetër ishte që pamë dhe takuam të gjithë miqtë tanë, shokë, dashamirës e bashkëpunëtor dhe e pritëm me kënaqësi vizitën që i bëra mamasë sime në Kosovë, qëndruam me familjen time, miqtë tanë dhe ne sa herë vijmë në Shqipëri apo Kosovë gjithmonë ndihemi si në vendin tonë. Është vendi ynë dhe nuk ka gjë më të bukur! Duhet falëndëroj çunat e Ansamblit, drejtuesin artistik Gerti Druga dhe drejtoreshën Zana Cela.

Merita pas sa kohësh e festonit ditëlindjen në Tiranë?

Vitin e kaluar ditëlindjen e festova Kosovë, këtë vit më rastisi në Tiranë dhe e festoj këtu pas 3 vitesh. Por, kjo ishte një ditëlindje e veçantë, ka qenë një nga ditëlindjet më të bukura të jetës sime, kur je në koncert dhe dëgjon që populli që të ka duartrokitur për herë të parë të këndon “Shumë urime për ty” dhe ky është vlerësimi më i mirë i jetës sime.

Po në Kosovë Merita si ndjehesh kur shkon? Çfarë të pëlqen më shumë nga Kosova?

Merita: Unë në Kosovë shkoj sikur jam në shtëpinë time, sepse unë ashtu e kam konsideruar që në fillim kjo është shtëpia ime dhe nuk e kam konsideruar vetën që jam nuse. Këtë mundësi ta jep edhe burri, vlerësimin që nuk të jep stres, në kuptimin që këtu je nuse dhe duhet të jesh më e kujdesshme. Unë jam gjithmonë e lirë me pjesëtarët e familjes së Raifit edhe e prezantoj veten time, ashtu sikurse jam dhe ashtu siç e ndjej dhe për mua nuk ka ndonjë ndryshim. Në radhë të parë mikpritja në Kosovë është shumë e dashur dhe me shumë sinqeritet. Jo se mungon në Shqipëri, kemi treguar veten kur kanë ardhur kosovarët në Shqipëri. Miqtë që kemi të vërtetë na presin me gjithë shpirt dhe është vërtetë privilegj për mua dhe do ta cilësoj që në Kosovë mua më kanë vlerësuar shumë edhe vite më parë më kanë dashur si këngëtare dhe më vlerësojnë.

Po ju Raif çfarë ju pëlqen më së shumti nga Tirana?

Raif: Merita, (qesh).Ne jemi një popull dhe fatkeqësisht kemi qenë të ndarë, por tashmë kemi mundësinë të jemi pranë njeri-tjetrit. Pothuajse të gjitha traditat i kemi të njëjta. Zoti e ka bekuar Shqipërinë, Kosovën dhe trojet shqiptare dhe ai që nuk e do Shqipërinë dhe trojet shqiptare ai duhet të shkojë “tek psikiatri të kontrollohet” pasi diçka nuk është në rregull me të. Mua më pëlqen çdo gjë, çdo gjë që merr frymë shqip. Është vendi i bekuar, njerëzit janë shumë të mirë, vetëm diçka duhet të jetë më e organizuar dhe gjërat mund të jenë më mirë.

Si e shihni ju muzikën shqiptare? Ka evoluar apo…?

Merita: Kur unë kam marrë pjesë vite më parë tek “Këngët e Shekullit” aty u gërshetua shumë mirë muzika shqiptare, kënga popullore dhe kënga e muzikës së lehtë dhe bëri që të dilet në pah bagazhi i këngëve që kanë kënduar këngëtarët në festivalet e mëparshme. P.sh këngët e muzikës së lehtë të Vaçe Zelës, Ema Qazimit, Liljana Kondaçi, Luan Zhegu etj etj sapo dalnin, populli i këndonte menjëherë, sepse ishin të kapshme dhe shumë të bukura. Folku shqiptar nuk duhet devijuar, po duhet të jetë i pasur sepse duke ruajtur origjinalitetin tonë ne identifikohemi. Këtu mund të përmend vetëm një rast p.sh kur hyjmë në aeroportin shqiptar “Mirëseerdhe” është në gjuhë të huaj, apo të presin me këngë të huaja, por këtë nuk e hasim në asnjë aeroport tjetër të botës. Pse të mos dëgjohet zëri i Vaçe Zelës me këngën “Po ku ka si ti moj Shqipëria ime”.

Pse e patë të domosdoshme për të studiuar në USA sërish muzikë, pasi ju të dy ishit arsimuar në Shqipëri dhe Kosovë për këtë gjë?

Raif: Në këtë rast dua të përmend një fjalë të urtë popullore “si është vendi bëhet kuvendi”. Neve kemi shkuar në SHBA të përgatitur profesionalisht, Merita me shkollimin e saj, përvojën e saj në Ansamblin e shtetit, unë gjithashtu nga Kosova që kam studiuar muzikën atje. Për ne ishte një fillim i ri atje, unë mbarova master së bashku me Meritën dhe u adaptuam shumë shpejt. Që të korrësh sukses në një vend duhet përshtatesh me të dhe duke qenë unë prej Kosovës dhe Merita pre Shqipërisë i bashkëdyzuam të dy aftësitë profesionale dhe suksesi ishte i padiskutueshëm.

Ju keni kontribuar edhe në hapjen e një Katedre për muzikën shqiptare në Amerikë…

Raif: Unë dhe Merita kemi mbaruar master në Amerikë, ndaj e pashë të arsyeshme hapjen e saj. I propozova Universitetit “Montclair Stat” ne Montclair, Neë Jerseyt, që përveç studimit të muzikës klasike dhe muzikës jazz, të hapej edhe një katedër për muzikën shqiptare. Mbajtën dy 3 seanca dëgjimore dhe në përfundim ranë dakord që të hapej pasi ishte me përfitime i studentet dhe universitetit nga aspekti profesional. Muzika jonë ka ritme të ndryshme, valle të ndryshme dhe ato nuk i kanë dëgjuar ndonjëherë, kështu ato mësojnë se si të interpretojnë këto vallë apo këto këngë. Puna jonë ka qenë e përpiluar duke përfshirë të gjitha trevat shqiptare pra ishte një kurrikulum mbarëkombëtar ku jetojnë sot shqiptarë. Për ta argumentuar këtë kontribut mund të them se një nga studentet e Meritës e ka mbrojtur temën e diplomës jo vetëm me muzikë klasike por edhe me këngë të Shqipërisë Mesme, p.sh “Karajfili në saksi” edhe “Arbëreshë vajta kalova”. Në Amerikë nuk ke të drejtë të imponosh, por ne imponojmë vetëm me kualitet, me tregim vlerash, ndaj dhe studentja shprehu dëshirën për ta mbrojtur temën e diplomës me disa këngë shqiptare. Tashmë është shprehur edhe dëshira që në programin e diplomës të futen edhe vallet shqiptare, përveç muzikës dhe instrumenteve që ne kemi. Kurrë kjo deri më tani nuk ka ndodhur në asnjëherë. Është Katedra e parë në shtetin e Neë Jerseyt, e parë në SHBA dhe ndoshta është katedra e parë në krejt botën.

Çfarë pëlqejnë apo si e komentojnë dëgjuesit e muzikës dhe specialistët e saj muzikën shqiptare?

Merita: Ata kur dëgjojnë këngë shqiptare ose kur shikojnë vallen së pari vërejnë kostumet që ne përdorim, tradicionale, unë vesh kostumet tradicionale në festivalet internacionale dhe dëgjojnë me shumë vëmendjen të kapin ritmin edhe pse nuk e kuptojnë. Gjtihashtu impenjohen shumë me instrumentet që ne përdorim (klarineta, fizarmonika, lahuta, dajra, çiftelia, daullja) janë instrumente që ata krijojnë dhe thonë “oh një gjë e re”.

Të kthehemi pas në kohë, takimin tuaj të parë si kujtoni tani pas 27 vitesh?

Raif: Para se të përgjigjem për pyetjen dua të them se ne në Kosovë çdo gjë që ka qenë prej Shqipërie, edhe sikur të ishte baltë ne e kemi konsideruar sikur të ishte një diamant, sepse ka qenë e Shqipërisë. Për Meritën në atë kohë çdo kush kishte dëgjuar, e unë në atë kohë isha vetë në Amerikë, pasi kam shkuar që prej 1989… Për t’u ndalur tek takimi ne ishim në një koncert edhe më thonë që ka ardhur një nga këngëtaret më të famshme Merita Halili. Kur erdhi Merita si mysafire për të përshëndetur koncertin, përveç përshëndetjes më pyeti për disa këngë që unë i dija Më pyeti për këngë që ishin nga Shqipëria dhe unë sigurisht i them “i di sepse janë këngë shqiptare”. Ky ka qenë momenti i parë ku jemi njohur në skenë dhe jeta vazhdon po në skenë (qesh).

Merita: Kam pasur zakonisht bashkëpunëtor të ndryshëm, por ashtu sikurse Raifi e tha biseda e parë ishte mbi këngët që unë do të këndoja. E pyeta për shumë këngë, sepse gjithmonë mendoja për punën profesionale timen. Më erdhi mirë që Raifi i dinte këngët dhe isha me e qetë që dikush i dinte këto këngë. Përveçse më pëlqeu si talent më pëlqeu edhe si adrenalinë (qesh).

Raif ju fëmijë keni dashur të merreni me arte marciale dhe jo muzikë, ndaj dhe u shkëputët për pak për t’u rikthyer definitivisht. Çfarë e bëri Raifin fëmijë të vendoste përfundimisht të merrej me muzikë?

Raif: Kam qenë në klasën e 4 të shkollës fillore, babai im ka pasur dy dëshira që nëse do kem dy djem atëherë dëshira ime do ishte që njëri të bëhej pilot dhe tjetri të zotëronte fizarmonikën. Vëllai nuk u bë pilot për shkak të situatës që ishte në Kosovë dhe politike, ndërsa unë si fëmija i madh e fillova shkollën për mësimin e fizarmonikës. Por në atë kohë ishte shumë i famshëm Bru Lee dhe unë si fëmijë që isha doja të merresha me karate, për të treguar shkathtësitë. Unë shkoj në shkollë të muzikës për 3 muaj çdo ditë dhe mu duk shumë e mërzitshme. Më dukej e tillë, sepse unë doja që në orët e para të luaja shumë shpejt por aty duhet të mësoje të gjitha notat dhe kjo më dukej e mërzitshme. Ndaj vendosa që mos shkoj, por pas dy muajve i kërkoj babait që të më çoj në shkollë. Këtë vendim nuk di si ta shpjegoj, nuk e di si më erdhi, thjesht më ka ardhur prej Zotit.

Merita si e kujtoni fëmijërinë tuaj?

Merita: Babai nuk donte që unë të isha pjesë e muzikës dhe kam konkurruar edhe tek Pedagogjikja. Unë fëmijërinë time kam qenë në shkollën “Xhezmi Delli”, pastaj konkurrova në pedagogjike dhe për Liceun artistik, që i fitova të dyja, para se të shkoja në lice unë isha në Shtëpinë e Pionierëve, jam aktivizuar aty soliste dhe koriste. Gjatë kohës së liceut aktivizohesha me ansamblet e ndryshme amatore “Tirana” e “Migjeni” dhe “Uzinën Traktori”, duke shkuar nëpër qytete dhe rrethe. Por, më mungon shumë nga ajo kohë shoqëria ime, i kam dashur të gjithë shokët dhe shoqet me shumë dashuri. Unë kam shumë shokë dhe miq por dy shoqet që ne kemi mbajtur miqësinë janë Kozeta Prifti dhe e famshmja Nertila Koka, e cila ishte këngëtare dhe aktore. Për çmimet që ajo merrte ne gëzoheshin të gjithë dhe ishim shumë krenare që e kishim shoqe ishte me neve. Kuptohet edhe Kozeta ishte një pianiste e jashtëzakonshme.

Cilat janë projektet tuaja? A do kemi ndonjë këngë të re nga ju?

Ne do jemi në 6 gusht në koncertin e Lincol Center ku do të prezantohemi për herë të 5. Sigurisht që do të kemi këngë të reja. përderisa unë këndoj folkun më bie për detyrë t’i marr dhe t’i rinovoj, pasi ato këngë do këndohen vazhdimisht nga burimi. Unë gjithmonë e mendoj veten që të këndoj më shumë në live dhe të jem në skenë. Pra mund të them që do kemi këngë të reja nga unë dhe Raifi, ne jemi duke punuar dhe do vijnë me kohë.

Comments