
Studime të ndryshme kanë provuar që ata persona të cilët vuajnë pagjumësinë, kanë defiçite të kujtesës dhe humbje të përqendrimit
Elona Tereziu
“Shpeshherë çrregullimet e gjumit mund të jenë sinjal alarmi për fillimin e një gjendje anksioze, paralajmëruese të ndonjë çrregullimi madhor të humorit siç është gjendja manjakale, apo çrregullimi depresiv, duke vazhduar më tej me sëmundje të rënda të cilat pagjumësia i shoqëron gjithmonë kur flitet për çrregullime psikotike siç është skizofrenia”. Kështu shprehet për gazetën “Shekulli”, mjekja psikiatre e Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor nr.3, Arjana Rreli. Teksa shpjegon rëndësinë e gjumit në shëndetin tonë, ajo rendit edhe faktorët që ndikojnë duke sjellur një çrregullim të tillë, ndërkohë që ankesën e pagjumësisë e rendit si ankesën më të zakonshme dhe që bëhet pa komplekse në shëndetin mendor.
Ç’do të kuptojmë me gjumë të mirë dhe cila është rëndësia e tij?
Grekët e lashtë e quanin nevojën për gjumë si një domosdoshmëri dhe dhuratë që perëndia Hypnos, i biri i errësirës dhe i natës dhe vëllai i vdekjes, ia bënë dhuratë njeriut. Gjumi është ndër mundësitë e pakta që i jepen organizmit për t’u rigjeneruar dhe rimarrë energjitë për të nesërmen. Dy janë funksionet kryesore të tij, termorregullacioni (ruajtja e një temperature konstante) dhe furnizmi me energji. Studime të ndryshme kanë provuar që ata persona të cilët vuajnë pagjumësinë, kanë deficite të kujtesës dhe humbje të përqendrimit çka i bën ata të jenë në vështirësi gjatë gjithë kohës për faktin se nuk arrijnë dot të memorizojnë. Nga ana tjetër një gjumë i mirë na bën ne të kemi një imunitet më të fortë dhe të jemi të mbrojtur ndaj sulmeve që bëjnë agjentët e jashtëm mjedisor. Megjithatë duhet theksuar se gjumi është shumë individual. Nëse një person mund të quajë gjumë të mirë vetëm 5 orë fjetje në natë, e cila plotëson nevojat e tij, dhe të nesërmen ai është në gjendje të kryejë të gjitha aktivitetet pa asnjë lloj deficiti, dikujt tjetër i dalin dhe nuk i teprojnë 7-8 gjumë që supozohet të jetë dhe periudha kohore më e domosdoshme që i duhet çdo individi për të plotësuar nevojën e organizmit me energji.
Ka njerëz që edhe shqetësohen nga ky fakt dhe thonë “Çfarë ndodh me mua që fle vetëm 5 orë gjumë!? Në fakt, ai ka fjetur gjatë gjithë jetës vetëm 5 orë dhe arrin t’i bëjë gjërat shumë mirë. Kjo pra tregon që secili ka individualitetin e vet edhe ndaj reagimeve të orëve të gjumit. Idealja është që ne të plotësojmë nevojat tona pavarësisht se sa orë gjumë bëjmë.
Cilat janë llojet e çrregullimeve të gjumit?
Çrregullimet e gjumit janë disa, por ne mund t’i klasifikojmë në katër lloje: 1-Insomnia (pagjumësia), është ai lloj i çrregullimit të gjumit i cili presupozon orare shumë të kufizuara të gjumit. Nëse më lart vlerësuam që njeriu duhet të flejë deri në 7 orë gjumë, personat me pagjumësi ankojnë që këto orë gjumi i kanë shumë të reduktuara. Mund të bëjnë dy ose 3 orë gjumë në natë, ndërkohë që ka të tjerë që referojnë se nuk flenë dot fare gjatë gjithë natës. Insomnia ndodh në periudha shumë të shkurtra kohore, por nëse do të ndodhte për një kohë të gjatë, do të çonte në problematika shumë serioze të shëndetit, ose do të ishte paralajmëruese për një sëmundje që do të vendosej më pas. 2-Hipersmonia, (gjumë i shtuar) është një tjetër çrregullim i cili bëhet problem duke na kufizuar nga shumë veprimtari gjatë ditës. Por hipersomnia nuk bëhet problem vetëm për personin, por edhe për aktivitetin e tij okupacional gjë që “sjell faturën” në shoqëri. Njerëz të tillë nuk mund të punojnë pasi ndjehen gjatë gjithë kohës të përgjumur. 3-Parasomnitë, janë një tjetër çrregullim, ku personi edhe pse mund të bëjë orë gjumi, këto orë i ka cilësisht të dëmtuara. Pra, si sasi orët janë të mjaftueshme, por cilësia e tyre është e prishur. Këta persona ankojnë tmerre të natës, ëndrra të cilat i zgjojnë herë pas herë shumë të frikësuar, megjithëse mund të bien përsëri në gjumë dhe ta rimarrin veten, ngrihen përsëri nga këto lloj ëndrrash. Vazhdimisht ankojnë se nuk janë të ngopur me gjumë. 4-Çrregullimet e ritmit gjumi-zgjim. Është tamam ajo shprehja kur natën e bën ditë dhe ditën e bën natë. Këta persona nuk flenë dot natën, dhe përgjatë gjithë ditës janë të përgjumur.
Cilët janë shkaqet e çrregullimeve të gjumit?
Disa shkaktarë të zakonshëm që ndikojnë në çrregullimet e gjumit mund të përmendim: 1-Përdorimi i kafeinës, sidomos tek njerëzit që janë intolerant dhe sidomos gjatë orëve të pasdites. Përdorimi i kafeinës pas orës 17 në shumicën e rasteve jep çrregullime të gjumit, me përjashtime shumë të rralla te disa njerëz. 2-Përdorimi i duhanit ose tejkalimi i sasisë ndikon rëndësishëm tek pagjumësia. 3-Përdorimi i alkoolit. Ka një mit që thotë “kush pi alkool, mund të flejë më mirë në darkë”. Në fakt, nuk është e vërtetë. Alkooli mund të jetë ndihmës deri në një sasi të caktuar, por nëse dozat tejkalohen, atëherë alkooli bëhet faktor domethënës për pagjumësi. 4- Medikamentet. Ka një sërë medikamentesh të cilët mund të shkaktojnë probleme me pagjumësinë, sidomos tek pacientët të cilët vuajnë nga sëmundje kronike. 5-Substancat, duke qenë se janë eksitantë të sistemit nervor, ndikojnë gjithashtu në pagjumësi. 6-Turbullimet e gjumit të lidhura me çrregullimet mjekësore psikiatrike. Kur flitet për problematika të shëndetit mendor, çrregullimet e gjumit janë pjesë e pandarë e tyre. Këtu mund të përmendim: E para, me çrregullimet mendore si: çrregullimet e humorit, çrregullimet e ankthit, çrregullime të panikut, çrregullime të alkoolizmit. E dyta, me çrregullimet neurologjike, të tilla si: çrregullimet degjenenerative të trurit, demencën ose sklerozën, parkisonizmin, epilepsinë dhe dhimbjen e kokës.
Cila është rëndësia e zbatimit të higjienës së gjumit?
Higjiena e gjumit është që, pa kërkuar shkaktarë andej- këtej, ne padiskutim duhet t’i japim gjumit atë që fiziologjikisht kërkon. Nëse ne shkojmë në shtrat në një orar të caktuar, kjo bën pjesë tek higjiena e gjumit, pra regjimi. Nëse ne e mësojmë organizmin me orare të përcaktuara të gjumë-zgjimit, do na ndihmojë të bëjmë një gjumë më të mirë. E dyta dhoma e gjumit duhet të jetë gjithmonë e ajrosur mirë, temperature duhet të jetë mesatare. E treta, është mirë që dhoma të jetë e lyer në ngjyrë të hapur, mundësisht bojëqelli që t’i ngjajë efekteve që ne marrim çdo ditë në mjedis. E katërta, në asnjë mënyrë nuk duhet të mbajmë në dhomë aparatura elektronike e aq më tepër televizorin. Nuk është aspak e këshillueshme që në momentin që ti nuk ke gjumë, të hapësh televizorin ose të marrësh një libër për ta lexuar me idenë se mund të lodhësh dhe të të zërë gjumi.
Telefonët celularë më e mira do të ishte t’i mbanim fare jashtë dhomës, kjo edhe për shkak të valëve që ato shpërndajnë. E pesta, shumë njerëz preferojnë të bëjnë një banjë të ngrohtë para se të flenë, por nuk këshillohet. Banjoja duhet bërë të paktën një orë para regjimit të gjumit, sepse duke u stimuluar qarkullimi i gjakut, hidhen në sistem disa katekolamina të cilat janë eksitante të sistemit nervor dhe nuk na priren shumë për gjumë të mirë.
Cilët janë efektet e dëmshme të gjumëdhënësve dhe çfarë ndodh kur pacienti i merr pa rekomandim?
Ky është një problem shumë i madh tek ne. Përdorimi i gjumëdhënësve në asnjë vend të botës nuk jepet pa rekomandimin e mjekut specialist, madje duhet dhënë me recetë të veçantë pasi i gjithë grupi i gjumëdhënësve ka efektin e varësisë në organizëm. Pra, një person mund të pretendojë ta “zgjidhë” problemin e vet duke shkuar në farmaci dhe duke marrë gjumëdhënës, por fakti që nuk ka zbuluar shkakun e vërtetë të pagjumësisë e bën atë jo efikas, por jo vetëm kaq. Nëse ai vazhdon dhe e merr për një kohë të gjatë këtë gjumëdhënës, do të vijë një moment që ai nuk i bën më efekt (krijon imunitet) duke kërkuar kështu të marrë edhe kokrrën e dytë. Kjo vërteton edhe njëherë që ai nuk ka zgjidhur problemin primarë, prandaj edhe gjumëdhënësi nuk ka më efekt. Në tentativë për të vazhduar zgjidhjen që i ka dhënë vetes, nuk bën gjë tjetër veçse krijon një problem të dytë, që është efekti i varësisë ndaj medikamentit, duke thelluar dhe më tej problemin primar.
Këshilla për një gjumë të mirë?
Për të bërë një gjumë të mirë, fillimisht duhet që të bëjmë një jetë të shëndetshme. Një jetë e shëndetshme do të thotë një jetë pa alkool, pa duhan dhe sa më pak ose aspak kafeinë. Faktorët që i përmendëm më lart (higjiena e gjumit) duhen zbatuar me rigorozitet. Sistemi i tretjes nuk duhet mbingarkuar me ushqime të rënda afër orëve të fundit të ditës, ndërkohë që aktiviteti fizik nuk duhet të jetë gjatë orëve të vona pranë orareve të gjumit, për shkak se tekolaminat të cilat shkarkohen gjatë aktivitetit fizik, bëhen eksitante për sistemin nervor duke na penguar për një gjumë të rehatshëm.
A i vlerësojnë pacientët sa duhet çrregullimet e pagjumësisë?
Në fakt, ankesa për pagjumësinë, unë do të thoja që vjen në vendin e parë për sa i përket ankesave që bëhen pa komplekse në shëndetin mendor. Pacientët kanë më tepër barriera të vijnë dhe të tregojnë për gjendjen emocionale, për ankthet, për ndryshimet e humorit etj, sesa të trokasin në derë për të treguar që nuk bëjnë një gjumë të mirë. Për ne kjo është një gjë shumë e mirë, sepse nëpërmjet pagjumësisë ne mund të zbulojmë edhe problematika të tjera për të cilat personi ka shumë më tepër vështirësi për t’i treguar. Pra, duke qenë se është një ankesë që nuk ka problem të shfaqet, bën statistikisht të zë një vend goxha të konsiderueshëm në tabelën e ankesave që kanë më tepër prurje në shëndetin mendor.
Problemet shëndetësore nga pagjumësia
Trajtimi i pagjumësisë?
Trajtimi i pagjumësisë fillon së pari nga ajo që përmendëm më lart, higjiena e gjumit. Çdo njëri duhet të respektoj higjienën e gjumit për të pretenduar një gjumë të shëndetshëm. E dyta. Nëse fillojnë të shfaqen shenjat e para të çrregullimit të gjumit duhet patjetër t’i referohemi mjekut të familjes. Mjeku i familjes është dera e parë ku personi duhet të zbrasë ankesat e veta edhe ky mjek familje, i cili është i mirëtrajnuar duhet të mendoj për shkaqe të mundshme organike fillimisht të këtij çrregullimi të gjumit. Nëse janë përjashtuar të gjitha shkaqet organike, atëherë dërgohet tek mjeku specialist, që është mjeku psikiatër. Psikiatri shikon nëse këto ndryshime të gjumit janë pasojë e një ngarkese emotive dhe për këtë arsye personi duhet të punojë me punonjësin social ose psikologun apo gjumi është paralajmërim i një çrregullimi të shëndetit mendor që ka vetëm pararendës këtë lloj problematike. Është psikiatri ai i cili vendos mënyrën e trajtimit dhe propozon mjekimin nëse duhet me medikamente, si dhe bën kontrollin afatgjatë të rezultatit që ai pretendon me propozimin e terapisë që ai bën.
Sa e zakonshme është të flemë keq herë pas here?
Nëse i referohemi kushteve të sotme, mënyrës së jetesës që bën rinia sot duke preferuar qoftë edhe fundjavat për të bërë jetë nate, çdo lloj ndërhyrje që bëhet në ritmin e gjumit vjen me ndëshkim. Nëse ne ndryshojmë oraret tona më shumë se për tre herë në javë, të detyruar ose jo, atëherë gjumi do të “rebelohet” dhe nuk do e rimarrë me ciklin e vet për shumë kohë. Gjumi është “tekanjoz” dhe nëse ti e cenon sadopak ecurinë e tij dhe shkon kundër ritmit që natyra ka përcaktuar, atëherë ky regjim i keq do të zëvendësojë regjimin e mirë të gjumit duke bërë që të prishen të gjitha sistemet e mirëfunksionimit fiziologjik të individit. Kjo gjë është shumë e rëndësishme, sepse brenda nesh ka një ritëm (circadian) që i shkon atij të natyrës. Jo më kot nata ku ne duhet detyrimisht të flemë gjumë është e errët. Sistemet tona fillojnë dhe ulin frekuencën mbas orës 23 dhe ne fiziologjikisht duhet ta pririm trupin për gjumë. Ulet frekuenca kardiake, ulet frekuenca respiratore (pra, bie ritmi i frymëmarrjes) dhe puna e të gjithë sistemeve tona hormonale reduktohet. Kjo gjë do të thotë që natyra ka përcaktuar që ne tani duhet të flemë gjumë. Po çfarë bëjmë ne? Ne i dalim kundër kësaj, zgjedhim të shkojmë në pab dhe ta çojmë adrenalinën në maksimum duke i dalë komplet kundër kësaj fiziologjie që natyra ka përcaktuar. Por në momentin që ti del jashtë ritmit të natyrës, “natyra të ndëshkon”.
A mund të jetë pagjumësia shenjë paralajmëruese për ndonjë problem shëndetësor?
Po, ndonjëherë pagjumësia mund të jetë shenjë paralajmëruese për sëmundje që kanë lidhje me shëndetin mendor. Nëse një person vjen dhe ankon pagjumësinë, por nuk është kjo e vetmja ankesë e tij, atëherë detyra e mjekut psikiatër është të zbulojë se çfarë fshihet pas këtij çrregullimi. Shpeshherë çrregullimet e gjumit mund të jenë sinjal alarmi për fillimin e një gjendje anksioze, paralajmëruese të ndonjë çrregullimi madhor të humorit siç është gjendja maniakale, apo çrregullim depresiv, duke vazhduar më tej me sëmundje të rënda të cilat pagjumësia i shoqëron gjithmonë kur flitet për çrregullime të mendimit, çrregullime psikotike, skizofreninë etj.

