Lajme blitz nga Serie A

285
fresco

E ardhmja e Mbaye Niang është në udhëkryq. Sulmuesi i Milan-it, kërkohet nga Torino, me trajnerin Sinisa Mihajlovic që prej kohësh është admirues i Senegalezit. Nga ana tjetër edhe trajneri serb është një person që Niang e vlerëson shumë dhe kjo mund të jetë faktori kryesor që të bindë lojtarin të largohet nga kuqezinjtë, për t’u transferuar te klubi granata.

Alex Sandro është një ndër emrat më të përfolur në këtë merkato vere, me mbrojtësin e Juventus-it që kërkohet nga shumë ekipe. Megjithatë klubi bardhezi nuk ka ndërmend të privohet nga shërbimet e 26-vjeçarit. “Zonja e Vjetër” e bënë të qartë se braziliani është shumë i rëndësishëm për skuadrën dhe nuk mendojnë ta shesin.

Inter i prish punë Liverpool për Naby Keitan. “The Reds” prej kohësh duan të sigurojnë shërbimet e yllit të RB Leipzig, por së fundmi në garë për lojtarin janë vendosur edhe zikaltërit. Akordi mes klubit anglez dhe gjerman nuk është gjetur dhe ekipi milanez kërkon të përfitojë nga ky fakt për të tentuar firmën me 22-vjeçarin.

Genoa është në kërkim të një mbrojtësi qëndre me eksperiencë për të përforcuar sa më mirë skuadrën. Presidenti Preziosi shikon në Milano për të gjetur profilin e duhur të lojtarit që i duhet. Në “radarë” është interisti Andrea Ranocchia dhe Cristian Zapata, por për këtë të fundit problem mbetet paga e lartë.

Comments