Qytetarët maqedonas e cilësojnë 2 gushtin si ditën më të rëndësishme për historinë e popullit maqedonas.
Për ta, festa e Ilindenit tregon se populli maqedonas ka historinë e tij.
“Festa është e maqedonasve dhe popullata maqedonase duhet të krenohet dhe të festojë këtë ditë”.
“Kryengritja e Ilindenit është ditë e madhe për ne. Ndonëse po ndodhin gjëra të çuditshme sa i përket kësaj dite, por ne dëshirojmë që kjo ditë të mbetet, të shënohet si e tillë për ne edhe në të ardhmen”.
“Këtë festë tregon se populli maqedonas ka historinë e vet”.
Kështu shprehen qytetarët, por, historianët shqiptarë thonë se askush nuk mund ta mohojë rolin e shqiptarëve për kryengritjen e Ilindenit.
Historiani, Nebi Dervishi, thotë se duke u bazuar në dokumentet e arkivave të huaja, rolin kryesor në kryengritjen e Ilindenit e kanë pasur shqiptarët, vllehët dhe bullgarët, teksa maqedonasit nuk përmenden në asnjë dokument.
Qëllimi kryesor i kryengritjes ishte formimi i një shteti të përbashkët për të gjitha etnitetet që jetonin në këtë vend, e jo si u trumpetua më vonë, për të formuar shtetin për popullin maqedonas, tha Derivishi.
“Pa shqiptarët nuk do të ndodhte kryengritja e Ilindenit për shkak të kontributit që e dhanë në këtë kryengritje, pavarësisht që ishte lokale dhe zgjati 12 ditë. Në fakt shqiptarët do të marrin pjesë edhe në organet drejtuese të Republikës, si për shembull në Asamblenë e Kuvendit të Republikës së Krushevës që u formua në këtë qytet nga gjithsej 60 personave, 20 ishin shqiptarë, 20 vllehë dhe 20 bullgarë”,- u shpreh historiani, Nebi Dervishi.
Roli i shqiptarëve në këtë kryengritje dhe në atë që pasoi pas saj tregohet edhe me faktin se në Qeverinë e Republikës së Krushevës ka pasur dhe 2 ministra shqiptarë ortodoksë, përkujtoi Dervishi.
“Pjetër Guri ishte komandanti i njësisë luftarake i kësaj kryengritje, ndërsa sipas të gjitha dokumenteve dhe studiuesve të asaj kohe del që Nikollë Boljari ishte njëri nga ministrat dhe i dyti, Gjorgji Qaçe, që përmenden si anëtarë të Qeverisë së Republikës së Krushevës”,- theksoi Dervishi.
Historiani, Nebi Dervishi, thotë se për të gjithë këto ekzistojnë dokumente të asaj kohe në arkivin e Stambollit, Sofjes dhe të Shkupit, ku mund të vërtetohet roli i madh i shqiptarëve ortodoksë në formimin e Republikës së Krushevës.