“Dialogu i brendshëm serb për Kosovën”, që u bë publik nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me gjasë do të hapë një faqe të re të zhvillimeve në Ballkan. Disa nismën e Vuçiqit e kanë pritur me rezerva, disa e kanë injoruar, ndërsa disa e tepruan duke e krahasuar presidentin serb me ish liderin francez Charles de Gaulle.
Këta të fundit aluduan në përgatitjen e disponimit në Serbi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Vuçiqit.
Mjerisht kjo nuk qëndron, sepse Vuçiq me asnjë fjalë nuk ka sinjalizuar një zhvillim të tillë. Ndonësë për “dialogun e brendshëm serb për Kosovën” ka folur me eufemizma, megjithate Vuçiq e ka bërë krejt transparent faktin se Serbia në Kosovë synon “ate që ka në dorë dhe jo të kthejë ate që e ka humbur kaherë”.
Nëse Vuçiq është i rezervuar dhe flet me doreza, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq është krejt transparent. Ai thotë:”E kam thënë qartë propozimin tim që të përkufizohet çka është serbe dhe çka është shqiptare. Nëse Holanda dhe Belgjika mund të shkëmbejnë territore, nëse këtë mund ta bëjnë India dhe Banglladeshi, përse të mos munden edhe serbët dhe shqiptarët, nëse kjo zgjidhje garanton paqe në këtë shekull”.
Duke elaboruar këtë idë, Daçiq nuk e fshehë së Veriu duhet t’i bashkohej Serbisë, ndërsa për serbët në pjesën tjetër të Kosovës kërkon Asociacionin dhe eksteritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse.
Pra, pos që kërkohët Veriu, përkatësisht coptimi i Kosovës, Asociacioni dhe eksteritorialiteti i kishave dhe manastireve ortodokse, do të ishte çmimi që Serbia të dalë e kënaqur me ate që e quan kompromis për Kosovën. Më shumë nuk do të kishte kërkuar as Sllobodan Millosheviqi. Ate që synojnë dyshja Vuçiq – Daçiq është hiq më pak se zhbërja e Kosovës.
Ky projekt shkatërrues për Kosovën nuk është as i tashëm dhe as i tyre. Në vitin 2004 në formë të fshehtë, ndërsa në vitin 2011, në formë të shkruar përmes “Memorandumit II”, këtë ide e kishte lansuar ideologu i nacionalshovenizmit serb Dobrica Qosiç. Atbotë Qosiç kishte potencuar se Serbia nuk dëshironte konflikte të hapura të armatosura me fqinjët, por rrumbullaksim të projektit të Serbisë së Madhe, me mjete dhe metoda tjera “demokratike” .
“Memorandumi II” parashehë shkëputjen e Republikës Serbe të Bosnjës, por edhe shkëputjen e një pjese të Kosovës dhe bashkimin me Serbinë. Sipas “Memorandumit II” kjo do të realizohej përmes krijimit të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë (Zajednica është pikërisht termi që përdoret në “Memorandumin II”).
Rrjedhimisht, ende pa filluar mire, “dialogu i brendshëm serb për Kosovën” u bë i qartë synimi i Beogradit. Dilema rreth këtij synimi përfundimtar të dyshes Vuçiq – Daçiq nuk do të duhej të kishte.
Çështja qëndron diku tjetër. Pse pikërisht tash ky “dialog i brendshëm serb”?
Mbase Vuçiq synon të dërgoi mesazh te Brukseli se është i gatshëm për ate që ai e cilëson “kompromis” për Kosovën. Në mbyllje të “dialogut të brendshëm serb”, Vuçiq do të dalë me “mandatin” e popullit për coptimin e Kosovës, gjithnjë duke e prezantuar si kompromis të Serbisë. Duke e ditur se një propozim i tillë në Kosovë nuk do të pranohet me asnjë çmim, kurrë dhe nga askush, Vuçiq shpreson që përmes refuzimit të palës shqiptare, do të fitoi bilëtën për vazhdimin e rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian, por tash pa kushtin e vënë për Kosovën nga Brukseli.
Është pak e besueshme që kjo lojë shumë e tejdukshme politike e Vuçiqit të hasë në mirëkuptimin e shumicës në Bruksel. Themi shumicës, sepse atje do të ketë të tillë që do ta mirëkuptojnë Vuçiqin dhe nga hija do ta mbështesin në këtë lojë shumë të rrezikshme për Ballkanin.
Këtë pjesa proserbe e BE-së do ta bënte duke e promovuar presidentin e Serbisë si Charles de Gaulle-in serb dhe duke kërkuar nga pjesa tjetër e BE-së, që të ketë mirëkuptim për “sakrificën” dhe “kompromisin” serb në Kosovë.
Për fatin e keq të Ballkanit, Kosovës, por edhe të Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk ka asnjë lidhje me Charle de Gaulle, sepse është vetëm kopje dhe pasues i Sllobodan Millosheviqit.