
Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e përshkruan yllin Lionel Messi si “një dhuratë e rënë nga parajsa”. Ai beson se 5-herë fituesi i “Topit të Artë” do të vazhdojë të magjepsë për vite të tëra në “Camp Nou” dhe do t’i japë gëzime pafund skuadrës së tij.
Telesport transmeton se në një intervistë për sajtin “Goal.com”, ish-numri 1 i klubit katalanas flet si poet për lojtarin më të madh në histori, por edhe për njeriun e madh Leo. Laporta e nis me çastet e para kur njohu gjeniun e futbollit, kur ky i fundit ishte vetëm 16 vjeç. Aty nisi gjithçka.
“E pashë duke luajtur në skuadrën e të rinjve. Ai shënoi katër gola brenda 20 minutash. Erdhi dhe luajti vetëm 20 minuta, sepse sapo kishte kaluar një dëmtim apo diçka e tillë, dhe shënoi katër gola! Ne ndenjëm duke e parë dhe thamë: ‘Shiheni si luan ky djalë, e mrekullueshme!’ Ai luante ashtu si tani, me një stil shumë të ngjashëm. Ai është maturuar, është bërë burrë. Tani është edhe baba. Ndeshjen e parë si profesionist e ka luajtur kur ishte 16 vjeç. Mbaj mend kur i dhamë kontratën e parë. Ndodhi kur debutoi në ‘Estadio do Dragao’, në Porto”.
Laporta ishte president i Barcelonës, kur Messi luajti për herë të parë me skuadrën e parë (2004) dhe për gjashtë vite me radhë pa se si “Pleshti” u zhvillua duke u bërë një yll i klasit botëror dhe fitues i “Topit të Artë”. “Ai ka qenë një dhuratë e rënë nga parajsa, një privilegj që Barça ka pasur”, – tha 55-vjeçari. “Ne duhet të vazhdojmë ta shijojmë atë, sepse ka edhe shumë vite përpara. Me karakteristikat që ka, jam i sigurt e do të luajë edhe për shumë vite të tjera dhe do t’i japë edhe më shumë gëzime Barçës. Dhe ky është një privilegj. Të kesh një lojtar i cili është më i miri në histori, por gjithashtu që ka përulësinë e Leos. E kemi parë duke u rritur dhe është fantastike. Ai është një personalitet, një njeri i madh”.
Pavarësisht se e njeh me rrënjë dhe dhëmballë, Laporta pranoi se Messi ende e befason me ato që bën në fushë. “Leo të befason në mënyrë të vazhdueshme. Ti e sheh dhe ai bën gjëra unike. Ai bënte gjëra unike më përpara dhe i bën edhe tani, pra me ndryshueshmërinë e lojës që ka, shpejtësinë, topin që e mban ngjitur me këmbën si askush tjetër, mënyrën se si e ndryshon ritmin, vizionin që ka. Ai pason, është golashënues, di si të ruajë energjinë… Qëndrimi që ai ka në çdo fushë të jetës, në futboll, në familje, si baba dhe si person të jep kënaqësi”.
Në fund, edhe pse gjithnjë është kundër presidentit aktual të Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, Laporta pranoi se sezonin e ardhshëm skuadra mund të triumfojë. “Me Leon gjithçka është e mundur”. /albeu.com/

