Një shqiptar përballë kinezëve bën histori

362

Nga Naser Pajaziti

“Benvenuto Shkendija” ishte fjala e policit italian në sportelin pritës në aeroportin e Milanit, që ishte i njohur për mbërritjen e ekipit të KF “Shkëndija”, për sfidën historike në San Siro përballë gjigantit evropian AC Milan.

Përballja në San Siro është sfidë edhe për Lazim Destanin, pronari i kompanisë së mirënjohur “Ecolog”, i cili po bën histori të re në futbollin shqiptar, që kur mori në duar drejtimin e klubit të traditës të Tetovës.

Biznesmeni i suksesshëm 63 vjeçar nuk e fsheh se me bindje dhe besim të plotë do të ulet në San Siro përballë “bossëve” kinez të konzorciumit “Rossoneri Sport Investment Lux” , që janë pronarët e rinj të klubit milanez.

Në frymën e njejtë është edhe skuadra e djelmoshave, vlera e të cilëve në tregun e futbollit shkon në një milion euro përballë qindra miliona eurove të kuqezinjëve nikoqir.

Por, pika e fortë e tyre është uniteti në skuadër dhe loja e përbashkët që bëjnë tanimë dy vite.

Destani thotë se nuk do të dorëzohen dhe se ekipi i tij spikatë me veçantinë që ka, duke mos u ndjerë në hendikep përballë gjigantit evropian.

“…Me guxim e mençuri në fushën e gjelbër ta jepni maksimumin dhe të dilni që andej, kryelartë, me dinjitet e me fitore! Mirupafshim në ‘San Siro”, ishte porosia e tij para lojtarëve para nisjes për Milano.

Impresionet para ndeshjes nuk i fsheh as gazetari i mirënjohuri i sportit Reshat Ibrahimi, që thotë se “milionat, tradita, talentet dhe eksperinca është tek milanezët, por lojtarët e Shkëndijës kanë zemër, unitet në ekip, dhe mezi presin për të blinduar në fushë blerjet e fundit të kinezëve.

Vlerat e klubit nga Tetova spikasin edhe në aspektin organizativ dhe promovimin e tij para italianëve.

Ky rrugëtim nga Tetova në San Siro është një histori në vete, që pavarësisht rezultatit, do të shkruhet në analet e historisë së futbollit shqiptar.

Comments