
Ka shtyrë ekipin korçar drejt kualifikimit të dytë në tre vitet e fundit për në grupet e UEFA Europa League. Presidenti Ardjan Takaj ka të drejtë të festojë. Një arritje që pasohet jo vetëm me suksese sportive, rekord e faqe të shkruara në historinë e futbollit shqiptar, por gjithashtu edhe me përfitime financiare, sikurse do të arkëtojë ekipi bardhekuq, plot 3.3 milionë euro për këtë kualifikim.
“Rruga më e suksesshme është Europa dhe arritjet janë shumë të mëdha. Është e natyrshme dhe normale tashmë që një klub i fortë matet nga financat, pasi të jep luksin të bësh merkato. Nuk jemi rastësish këtu kemi arritur. Kemi punuar seriozisht gjatë gjithë kësaj kohe. Të kalosh Dinamon, është arritje.
E respektojmë si kundërshtar, pasi janë ekip i madh, që prodhojnë talente që luajnë më pas në ekipe shumë të mëdha. Kisha frikë në fund, me një lojtar më pak. Thashë mos na ndodh ajo që na ndodhi në Zagreb.
Kur u përballëm me këta, nuk është se do na trembë ndonjë ekip tjetër. Nuk dua të merrem më çfarë ka kaluar. I falënderoj të gjithë ata që ishin në stadium. Shqiptarët kanë uri për sukses, pa parë ngjyrat. Arritjet vijnë kur ke një mbështetje të tillë”, – deklaroi presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj.

