Incident mes priftërinjsh në Kishën Shën Maria në Elbasan

247

Incident mes at Nikolla Markut dhe priftërinjve serbë e priftërinj të kishës ortodokse autoqefale shqiptare.

Gjithçka ka ndodhur dje kur një grup prej 100 turistësh serbë mes të cilëve edhe dy priftërinj të manastirit të Graçanicës së Kosovës dhe një prift i kishës ortodokse në Elbasan kanë hyrë në oborrin e kishës Shën Maria në Elbasan.

At Nikolla e ka konsideruar këtë si një provokim të rëndë që i bëhet kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare për shkak të divergjencave që kjo kishe me qendër në Elbasan ka me Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të drejtuar nga Janullatus.

“U ndodha i befasuar nga ajo që ndodhi, tregon at Nikolla. Ishin rreth 100 vetë. Mes tyre dy priftërinj të manastirit të Graçanicës dhe një prift shqiptar. Më befasoi prania e priftit ortodoks shqiptar pasi Janullatus ka deklaruar se cilido prift që shkel në kishën Shën Maria do të pushohet nga puna. Unë iu shpjegova se nuk mund të pranoj një provokim të tillë. Se kisha i përket gjithë besimtarëve ortodoksë të Kishës Autoqefale Kombëtare Shqiptare”.

At Nikolla shkon edhe më tej kur thotë se ky është një skenar i përbashkët mes dy kishave, serbe dhe greke, për të marrë kishën Shën Maria.

“Mes tyre ishte dhe një person i cili kam zbuluar se ka dashur të më eleminojë”, shprehet at Nikolla. Unë jam sëmurë me parkinson dhe ata po nxitojnë që të më heqin qafe e të marrin kishën. Por nuk kanë për t’ia arritur”, tregon ai më tej.


Në foto: At Nikolla Marku

Sipas at Nikollës, kisha greke ka përgatitur edhe pasardhësin që do ta zëvendësojë atë. “Kam mësuar se kanë gati edhe pasardhësin që do të më zëvendësojë mua dhe ta marrin kishën. Mezi po presin fundin tim. Ndaj po thurin lloj-lloj komplotesh. Por po u them se, edhe kur të mos jem më unë, kjo kishë do të drejtohet nga një prift shqiptar”.

At Nikolla Marku i është rikthyer edhe njëherë çështjes së drejtimit të kishës ortodokse në Shqipëri. Ai ka kërkuar që Kryepeshkopi Janullatus të largohet sa më parë sepse u ka sjellë shumë të këqija shqiptarëve, që do të kenë pasoja edhe në të ardhmen.

Ai këmbëngul që kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare të ketë Kryepeshkopin e saj me origjinë, gjuhë dhe gjak shqiptar ashtu siç e ka saktësuar Sinodi i Shenjtë.

Comments