
Shkup, 28 gusht – Në opinion po qarkullon informacioni se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe ‘Aleanca për Shqiptarët’ janë marrë vesh prapa “kuintave” që në Komunën e Studeniçanit, BDI mos garojë me kandidatin e saj po të mbështet kandidatin e ‘Aleancës për Shqiptarët’ në këtë komunë, ndërsa kundrejt kësaj mbështetje ‘Aleanca për Shqiptarët’ të mbështesë BDI-në në Saraj, njofton Zhurnal.mk
Nga BDI nuk mohojnë se po bisedojnë me partitë tjera dhe se pritshmërit e këtyre bisedimeve janë pozitive.
“Po bisedojmë me partitë tjera. Fillimisht me ato që jemi në koalicion për mbështetje eventuale për zgjedhje lokale. Ende nuk kanë përfunduar bisedimet mirëpo parimisht bisedimet janë në drejtim pozitiv”, thonë nga BDI për Zhurnal.mk
Nga ana tjetër, zëvendës kryeministri Bujar Osmani në një prononcim për Zhurnal.mk lidhur me kombinatorikën zgjedhore për Komunat Studeniçan dhe Saraj me ‘Aleancën për Shqiptarët’, thotë se ende nuk ka një informacion të till për të ndarë me opinionin.
“Nuk kam informacione të tilla për momentin”, tha Osmani për Zhurnal.mk
Lidhur me këtë çështje nga ‘Aleanca për Shqiptarët’ për Zhurnal.mk thonë se ende është herët të flitet dhe si thonë nga kjo parti ka kohë deri më 14 shtator kur duhet të dorëzohen listat.
“Ende nuk e kemi konsumuar këtë temë. Do ketë më shumë vende për kompromis. Manastir, Ohër, Dollnen, Qendër, Kumanovë, Studeniçan, Kërçovë, Krushevë, Aerodrom. Ende asgjë konkrete ska. Me gjasë shqiptarët duhet në paketë të vendosin. Bërvenica poashtu është në rrezik ta humbim shumicën, Gazi Baba për këshillin komunal. Mund të ketë edhe ndonjë tjetër”, thonë nga ‘Aleanca për Shqiptarët’ për Zhurnal.mk
Siç thonë nga kjo parti në marrëveshje duhet të përfshihen të gjitha këto komuna jo vetëm Saraj e Studeniçani, se ndryshe marrëveshja do të ishte selektive.
“Jemi për bashkim dhe faktorizim të shqiptarëve, jo për fragmentarizim. Sidomos në zgjedhje lokale”, thonë nga partia e Selës.

