
Bleona Metushi
“Autoritetet shqiptare duket se e konsiderojnë shkeljen e të drejtave të pakicës kombëtare greke si më të rëndësishme se sa ecuria evropiane”
Nga Erneta Shevroja
Athina zyrtare ka reaguar ditën e djeshme, pas miratimit të planit urbanistik për Himarën, plan në të cilin është parashikuar prishja e disa banesave. Ministria e Jashtme greke e ka quajtur shkelje të të drejtave të minoritarëve planin urbanistik të miratuar dy ditë më parë gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Himarës. Mbledhja e zhvilluar në fshatin Kuç, që nisi me tensione deri në largimin e përfaqësuesve të PBDNJ-së, është komentuar nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Aleksandros Gennimatas.
“Autoritetet shqiptare duket se e konsiderojnë shkeljen e të drejtave të pakicës kombëtare greke si më të rëndësishme sesa ecuria europiane e vendit”, ka deklaruar zëdhënësi gjatë një konference për shtyp. Ky nuk ishte reagimi i vetëm i zyrtarëve grekë. Deputeti i Partisë Demokracisë së Re, përgjegjës për Politikën e Jashtme, Jorgos Koumoutsakos, i është drejtuar drejtpërdrejtë kryeministrit Rama. Ai në reagim shprehet se kryeministri i vendit duhet ta kuptoj më në fund se, rruga e sulmeve do e çojë atë në një rrugë pa krye.
Sipas tij, kjo rrugë e paqëndrueshme që ndiqet nga kryeministri shqiptar, po minon të ardhmen evropiane të Shqipërisë. “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duhet më në fund të kuptojë se rruga e arbitraritetit dhe sulmeve kundër minoritetit kombëtar grek do ta sjellë atë në një rrugë pa krye. Kjo rrugë e paqëndrueshme që ai ndjek do ta bëjë atë përfundimisht përgjegjës ndaj vet popullit shqiptar, sepse me veprimet intolerante po minon të ardhmen europiane”, ka theksuar ai.
Diplomacia greke vazhdimisht ka qenë e ashpër ndaj shtetit shqiptar kur është bërë fjalë për minoritetin grek në Himarë. Që në fillesë të reagimeve nga banorët ndaj planit të përgjithshëm vendor të bashkisë, diplomacia greke ka ndërhyrë vazhdimisht me deklarata kritike ndaj autoriteteve dhe qeverisë shqiptare. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka theksuar disa herë se çështja e respektimit te së drejtës së pronës të minoritarëve grekë në Shqipëri, është tashmë një nga kushtet që qeveria shqiptare duhet të përmbushë me qëllim që të hapen negociatat për anëtarësim në BE. Dy ditë më parë Këshilli Bashkiak i Himarës ka miratuar planin e ri rregullues mes kundërshtimeve, tensioneve, trazirave dhe pranisë së forcave të shumta policore.
Plani rregullues i cili prek pronat e rreth 40 familjeve është miratuar nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të Himarës me 15 vota pro dhe 1 abstenim. Për shkak të tensioneve të shumta që krijoi mbledhja e parë e Këshillit për planin rregullues, mbledhja e së mërkurës u zhvendos në fshatin Kuç. Plani ishte parashikuar që të miratohej në një mbledhje të zhvilluar në datë 25 gusht, mbledhje që u bë e pamundur pas protestave të banorëve që preken nga rregullimet e reja në qytet.
Protesta është paralajmëruar që do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Edhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka sulmuar kryeministrin Edi Rama për problematikën që ka lindur në Himarë, muaj më parë. Në rrjetet sociale, Dule ka shkruar se maskat po bien, ndërsa timonieri i madh monologon për bashkëqeverisje me popullin. Më tej, ai shton se Këshilli i Bashkisë Himarë mblidhet në kushte shteti policor.
“Maskat po bien! Timonieri i madh monologon për bashkëqeverisje me popullin, Këshilli i Bashkisë Himarë mblidhet në kushte shteti policor!”, ka reaguar Dule. Kreu i PDNJ-së ka reaguar shpesh lidhur me ndërhyrjen që ka parashikuar qeveria. Dule i ka bërë thirrje Greqisë të ndalojë projektin e Rilindjes, siç është shprehur ai. Ai ka thënë se kryeministri Rama po nxit hakmarrje ndaj grekëve autoktonë.
Himara, në debat përfshihet edhe PDIU
Zëvendëskryetarja e Këshillit Bashkiak në Tiranë, Vjollca Braho ka reaguar dje kundër zëdhënësit ministrit të Jashtëm të Greqisë, Alexandros Gennimatas, i cili deklaroi se “Autoritet Shqiptare duket se konsiderojnë më të rëndësishme shkeljen e të drejtave të minoritetit grek sesa rrugën europiane të vendit”. Sipas saj, të konsiderosh shkelje të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri shembjen e disa banesave në qytetin e Himarës për shkak të miratimit të Planit Rregullues të këtij qyteti, është sa ironike aq edhe për t’u trishtuar për politikën e fqinjëve tanë jugorë. “Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Alexandros Gennimatas, deklaroi se “Autoritet Shqiptare duket se konsiderojnë më të rëndësishme shkeljen e të drejtave të minoritetit grek sesa rrugën europiane të vendit”. Ndërkohë, që plani i ri ka synimin e vetëm, kthimin e Himarës në qendrën e turizmit të zonës së Jugut duke i dhënë qytetit një pamje europiane, e cila i bën nder jo vetëm Himarës, por të gjithë Shqipërisë. Por, ky fakt për fqinjët është një pretekst perfekt për të hapur një krizë, që me sa duket e kanë pritur prej kohësh, sepse tashmë Shqipëria tashmë ka zënë një vend të rëndësishëm në hartën e turizmit botëror. Po pse është paradoksal ky qëndrim grek? Sepse një shtet si Greqia që ndërhyn në punët e brendëshme të Shqipërisë qoftë edhe për një shtëpi të prishur ligjërisht, nuk shqetësohet aspak për mijëra çamë të vrarë padrejtësisht, për pronat e tyre të dhunuara dhe që nuk u lejon atyre jo vetëm të rikthehen në shtëpitë e tyre, por as të vizitojnë ato. Kjo është absurde, pasi jo vetëm që nuk ka shkelje, sepse çdo pronë do të kompensohet, por himariotëve, qofshin shqiptarë apo të pakicës greke, përveçse u rivlerësohet prona, por do t’u shtohen ndjeshëm të ardhurat nga turizmi. Unë besoj që Shqipëria asnjëherë nuk ka cenuar qoftë edhe të drejtën më minimale të çdo minoriteti në vendin tonë, përkundrazi të gjithë ata janë miqtë, familjarët apo bashkëpunëtorët tanë këtu, kështu që Greqia përpara se të sajojë shqetësime të paqena, në radhë të parë duhet të hapë edhe njëherë kapakët e pluhurosur të historisë për çështjen Çame sepse e drejta mund të vonojë po nuk harron!”, ka reaguar Braho.

