Vrasja e gjyqtares, KLD inspekton gjyqtarët që dënuan me 3 vjet burg Fadil Kasemin

268
fresco

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur një inspektim në Gjykatën e Kavajës pas vendimit të dhënë 2 vite më parë për Fadil Kasemin, i cili pak ditë më parë vrau ish-bashkëshorten e tij Fildeze Hafizi me armë zjarri në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.

KLD ka nisur një verifikim ndaj vendimit të tre gjyqtarëve të Kavajës, që dënuan me tre vite burg Kasemin më 28 prill 2016. Kasemi më pas përfitoi nga amnistia, e cila e la të lirë në fillim të këtij viti.

Tre gjyqtarët që do të inspektohen nga KLD janë Eda Kaja, Luan Lusha dhe Markelian Koço. Dy inspektorë do të tërheqin dosjet nga Gjykata e Kavajës për të parë nëse është zbatuar si duhet ligji.

Ngjarja e vitit 2015 kur Fadil Kasemi tentoi ta vriste ish-bashkëshorten gjyqtare në një restorant në Golem nuk u klasifikua si tentativë vrasje, por për “mbajtjen pa leje të armëve luftarake” dhe të “dhunës në familje”.

Ish-bashkëshorti i gjyqtares u dënua për “armëmbajtje pa leje në banesë” që dënohet nga 1 deri në 5 vjet burg, dhe jo për “armëmbajtje pa leje në makinë apo ambiente publike” që dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg.

Fadil Kasemit në vitin 2015 iu gjet një armë e rregullt për të bërë qitje në çantën e tij, të cilën ia la në dorëzim pronarit të hotelit.

Një tjetër lehtësi që çoi në lirimin e Kasemit ishte fakti që ka disa familjarë të papunë, ndërkohë që rezulton se është tregtar i fuqishëm dhe ka një dyqan në pronësi të tij tek “tregu çam”.

Të gjitha këto bënë që ish-bashkëshorti i gjyqtares të përfitonte nga amnistia dhe të lihej i lirë.

Comments