Ja si Bushi e motivoi ekipin Shpresa të fitonte

289
fresco

Një fitore e madhe dhe e merituar e Kombëtares U-21, që në Grupin 2 të Eliminatoreve të “Euro 2019”, ka grumbulluar 4 pikë në tri ndeshje, por pozitiv është fakti se te Shpresat e Shqipërisë kanë spikatur disa futbollistë që Kombëtarja e madhe mund t’i fitojë në të ardhmen.

Në një lidhje telefonike, trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi tha për “Supersport” se ky ishte një sukses që e kënaq pa masë dhe sidomos për faktin se skuadra e tij dominoi ndaj kundërshtarit.

“Sot dhamë më të mirën në fushë. Mendoj se Qazim Laçi dhe Ylber Ramadani ishin më të mirët në fushë. Unë pikërisht tek ata kisha më shumë besim se do të merrnin ekipin përdore, sepse janë futbollistë që kanë luajtur më shumë se të tjerët në klubet e tyre.

Vumë zemrën në fushë dhe dominuam kundërshtarin, duke marrë tri pikët. Mos të harrojmë se shumë lojtarë janë të datëlindjes ‘98, pothuajse gjithë mbrojtja, çka do të thotë se janë futbollistë që do të jenë pjesë e Shpresave edhe për dy vite të tjera. Por kjo gjë nënkupton edhe faktin se ata kanë luajtur ndaj kundërshtarëve më të mëdhenj se vetja.

Pas humbjes kundër Irlandës së Veriut në minutat e fundit shtesë pak ditë më parë, jam munduar që të ngre moralin e futbollistëve. Kemi folur gjatë javës, kemi zhvilluar analiza dhe kemi studiuar skuadrën e Islandës U-21. Përpara ndeshjes së sotme u kam thënë lojtarëve: ‘Jeni më të mirë se ata. Duhet dhe do ta fitoni këtë takim. Ata s’kanë Cristiano Ronaldon në ekip, janë bashkëmoshatarët tuaj, ndaj jepni më të mirën në fushë’.

Kështu, çunat ishin super të karikuar dhe nëse lufton në futboll mund të fitosh, edhe pse kuptohet se duhet pak kualitet. Tashmë ta festojmë këtë fitore të bukur dhe të mendojmë shpejt për ndeshjen e radhës, sepse duam të vijojmë me këto paraqitje dinjitoze”, – tha trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Alban Bushi.

Comments