Bajram Gecaj, zëvendësministër në largim i Pushtetit Lokal, ka thënë se interesi boshtor nacional i LDK-së është që ta dërgojë PDK-në në opozitë.
Ai tha t’ia ketë thënë këto fjalë Elmi Reçicës së PDK-së gjatë një takimi të djeshëm në një ekspozitë arti.
“Mbrëmë, në një ekspozitë arti, takova Elmi Reçicën e PDK-së, i cili pa një e pa dy më tha se besonte fuqishëm që LDK, ashtu si gjithherë, do të jetë me siguri edhe kësaj radhe bashkëpunuese në çështjet dhe proceset e interesit nacional. Edhe unë pa asnjë fije mëdyshje ja konfirmova të njëjtën, duke e siguruar se LDK nuk ndryshon në bërthamën e saj dhe se edhe këtë herë do të veprojë në përputhje me parimet e saj, pasi që është parti e cila në fakt edhe ishte themeluar për t’u sakrifikuar për interesin nacional. Megjithatë, këtë herë, interesi boshtor nacional dhe interes mbi interesat për LDK-në, por edhe për vendin, do të jetë ta dërgojmë PDK-në në opozitë”, ka shkruar Gecaj në profilin e tij në Facebook.
Prandaj, thotë Gecaj, “do të bëjmë çmos, nuk do të lëmë gurë pa lëvizur, dhe do të fokusohemi e koncentrohemi me të gjithë forcën dhe fuqinë tonë që, si përherë, edhe në këtë periudhë interesin nacional ta dërgojmë në vend e vet”.