Zgjedhjet lokale, partitë finalizojnë kandidaturat

476
fresco

Partitë politike dita ditës po finalizojnë me përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 15 tetorit…

Lëvizja “Besa” ka vendosur që deputetin dhe nënkryetarin e saj, Zeqirija Ibrahimin, ta kandidojë për Komunën e Çairit, ndërkaq emri i kreut të kësaj partie, Bilall Kasami, përflitet të jetë kandidat për kryetar komune në Tetovë.

Ndërkaq, partitë tjera shqiptare akoma zyrtarisht janë pa kandidatura të reja. Nga BDI thonë se nuk është vendosur për ndonjë emër të ri. Veç zyrtarizimit të kandidaturave për Kërçovën, Çairin dhe Studeniçanin, jozyrtarisht flitet se BDI në Tetovë dhe Gostivar do të kandidojë me krerët e deritanishëm, Teuta Arifin dhe Nevzat Bejtën. Ish-ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, përflitet si kandidat për komunën e Sarajit.

Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët në Gostivar do të garojë me Arben Taravarin, ndërsa në Çair me Faruk Avdiun, në Haraçinë me Hysen Ramadanin, derisa emrat e kandidatëve të tjerë nga kjo parti thonë se do t’i publikojnë gjatë ditëve në vijim.

Një heshtje e caktuar mbretëron në partinë e Thaçit. Kjo parti, veç emrave të kandidatëve për Studeniçanin dhe Likovën, akoma nuk ka zyrtarizuar ndonjë emër të kandidatëve për komuna tjera.

LSDM dhe VMRO-DPMNE sot nuk kanë publikuar emra të rinj me të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale. Ditë më parë, LSDM shpalosi emrat e mbi 25 kandidatëve për komunat e caktuara të vendit, ndërsa sot ka bërë të ditur se në këto zgjedhje garon në koalicion me Partinë për Ripërtëritje të Maqedonisë që udhëhiqet nga Liljana Popovska. Ndërkaq, VMRO-DPMNE deri më tani ka publikuar emrat e 14 kandidatëve të saj.

Comments