Zaevi optimist: Në vjeshtë rekomandim të pastër nga KE; Ivanovi: Sfidat do t’i tejkalojmë, e ardhmja më e mirë; Dimitrovi: Integrimi i RM-së, në interes të Europës

201

Maqedonia shënon 26 vjetorin e pavarësisë jashtë dyerve të NATO-s dhe BE-së, por me aspirata për t’u bërë shpejt pjesë e tyre…

Në këtë përvjetor të Pavarësisë, kryeministri Zaev është optimist se gjatë vjeshtës vendi do të marrë rekomandim të pastër nga Komisioni Europian dhe do të bëhet shumë shpejt edhe anëtar i 30 i NATO-s. Ai premtoi edhe prosperitet për të gjithë qytetarët e vendit.

“E ardhmja e Republikës së Maqedonisë është në Bashkimin Europian dhe në NATO. Reale janë shanset që në vjeshtë Maqedonia të marrë rekomandim të pastër nga Komisioni Europian. Reale janë shanset që Maqedonia të bëhet vendi i 30 anëtar i NATO-s. Realitet janë perspektivat ekonomike, qetësi në familje, fëmijët në shtëpi, punësime të reja, ndërmarrje të suksesshme, arsim europian, shëndetësi bashkëkohore etj”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

Presidenti Ivanov potencon se Maqedonia është përjashtim nga shumë rregulla, por jo për faj të saj. Akuzon për dy standarde në rrugëtimin e vendit për njohje ndërkombëtare, për mohime dhe bllokada. Por, edhe Ivanovi potencon se Maqedonia dhe të gjitha etnitetet që jetojnë në të do të shijojnë drejtësinë ndërkombëtare me anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

“Arritëm të tejkalojmë shumë sfida dhe shumë të tjera kemi para nesh, por edhe ato do t’i kalojmë. Për të ardhmen e brezave të ardhshëm, ta bëjmë Maqedoninë vend me prosperitet, anëtare të BE-së dhe NATO-s, vend ku të rinjtë do ta shohin të ardhmen e tyre”,- theksoi presidenti, Gjeorge Ivanov.

Edhe ministri i jashtëm, Dimitrovi, që po qëndron në Talin, në takimin joformal të shefave të diplomacive të vendeve anëtarë dhe të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, thotë se integrimi i vendit në BE nuk është vetëm interes i Maqedonisë por edhe i Europës dhe vendeve të BE-së.

“Kam një rrëfim të mirë për t’iu treguar ministrave në momentet shpresëdhënëse të Maqedonisë. Shpresojmë t’i fillojmë negociatat për një vit ose një vit e gjysmë. Pra, jam këtu për t’i bindur ata se kjo është gjithashtu edhe në interes të Europës”,- tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Maqedonia e para në rajon nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asoccim me Bashkimin Europian, në vitin 2004 , në 2005 mori statusin e vendit kandidat dhe në 2009 të drejtën për lëvizje të lirë të qytetarëve. Por, anëtarësimi i plotë në NATO dhe BE kushtëzohet jo vetëm me zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, por edhe me reformat urgjente, në të cilat vendi ka pasur ngecje të vazhdueshme viteve të fundit.

Comments